Haradinaj premton mbështetje për fermerët e Kamenicës

Kosova

Haradinaj premton mbështetje për fermerët e Kamenicës

Më: 12 korrik 2019 Në ora: 16:46
Ilustrim

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka premtuar përkrahje për fermerët e plantacionit të arrave në Kopërnicë të Kamenicës.

Gjatë një takimi me fermerët atje, Haradinaj ka inkurajuar këta të fundit që të vazhdojnë të punojnë në këto plantacione.

Për kryeministrin, mbjellja e 15 mijë fidanëve arrë në një zonë kodrinore siç ishte kjo në Kopërnicë, tregon për guxim e përkushtim për punë.

Haradinaj: Do të vazhdojmë të përkrahim fermerët e Kamenicës

“Është inkurajues fakti që me guxim po ndodhin disa investimeve. Ky është një rast jashtëzakonisht i guximshëm, mbjellja e 15 mijë fidanëve arrë në një kodër të tillë është një guxim i madh... Më vjen mirë që Qeveria e Kosovës, në këtë rast populli i Kosovës, në rastin e fermës ka dhënë një përkrahje, në rastin e këtushëm. Po ashtu, është interes i yni që të vazhdojmë më tutje me i përkrahë fermerët, me i përkrahë investitorët, në këtë rast plantacionet ku jemi këtu. Dhe, një ditë pse jo, edhe për përpunim, me u përpunu produkti këtu”, tha Haradinaj.

Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, tha se komuna që e udhëheq, ka shumë mundësi për të zhvilluar sektorin e bujqësisë, porse përmendi disa sfida me të cilat po përballen tash e sa kohë.

Megjithatë, ai shtoi se është hap i rëndësishëm kultivimi i arrës në këtë zonë, teksa për këtë falënderoi Qeverinë që siç tha ai, po ndihmon bujqit e Kamenicës.

Kastrati: Kamenica po përballet me disa sfida

“Kamenica i ka pasur këto sfida, shpërngulja e popullatës, mungesa e vendeve të punës. Ne si komunë jemi e përshtatshme në aspektin e bujqësisë. Unë i falënderoj investitorët që një prej plantacioneve më të mëdha në Kosovë është duke u bërë. Shpresoj që kjo ide, siç e keni bërë ju, ka me u përcjellë në krejt pjesët e Kosovës”, tha Kastrati.

E fermeri, Rexhep Islami, tha se kanë mbjellë rreth 50 hektarë me arrë, teksa shtoi se problem të tanishëm kanë mungesën e ujit në këtë zonë.

Prurja e ujit në këtë zonë , për Islamin është esenciale, pasi tha se në të ardhmen pretendojnë të hapin edhe një fabrikë për grumbullimin dhe përpunimin e arrave.

Islami: Kemi problem me ujin

“Afër 50 hektar veç janë mbjellë gati arrë. Pretendojmë me e rritë kapacitetin në të ardhmen, të shohim çfarë mundësi kemi. Janë bë investime milionëshe, mirë është duke shkuar. Na kanë zënë fidanë të gjitha, 99 përqind pothuajse kanë zënë. Kemi pak problem me ujë. Shpresoj që do të gjejmë një formë për- të sjellë ujë këtu sepse kemi mungesë. Mendojmë me e bë një fabrikë për përpunimin e arrës në të ardhmen dhe grumbullimin”, tha fermeri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat