Evropa nuk është dezinsektuar sivjet për shkak të bletëve, në Kosovë kjo nuk paraqet problem

Kosova

Evropa nuk është dezinsektuar sivjet për shkak të bletëve, në Kosovë kjo nuk paraqet problem

Më: 13 korrik 2019 Në ora: 22:24
Foto

Për shkak të rriqrave dhe mushkonjave, në Kosovë është zgjeruar gama e dezinsektimit të hapësirave publike, ndërkaq sivjet në Evropë nuk ka pasur këso spërkatjesh për shkak të ruajtjes së bletëve.

“Të hënën nis faza e dytë e dezinsektimit, kujdes, bletët mbani të mbyllura prej orës 20:00 deri në ora 5:00 të mëngjesit”. Kështu thuhet në një komunikatë të lëshuar nga komuna e Gjilanit.

Njoftime kanë bërë edhe komuna e Prishtinës dhe e Drenasit. Po ashtu, duke spërkatur zonat për shkak të rriqrave është edhe komuna e Malishevës.

Por, shumica e shteteve anëtare evropiane kanë rënë dakord vitin e kaluar që të ndalojnë përdorimit në natyrë të produkteve neonicotinoide për shkak të mbrojtjes së bimëve, rrjedhimisht edhe të bletëve. Hulumtimi shkencor nga Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore tregoi se neonicotinoids janë të dëmshme për bletët e egra, bletët e mjaltit dhe gjitha llojet e bletëve në përgjigthësi, të cilat janë të domosdoshme për pllenim të kulturave. Prandaj, këto burime përbëjnë një kërcënim për biodiversitetin dhe furnizimet botërore të ushqimit. Ndalimi ka hyrë në fuqi në fund të vitit 2018 dhe sivjet nuk është bërë spërkatja thuajse në asnjë vend të Evropës.

Nga ana tjetër, raportimet tregojnë se tani për tani, miliarda bleta po vdesin. Tashmë, në SHBA nuk ka bletë të mjaftueshme për të polenizuar të korrat, dhe në Evropë bletarët po humbasin së paku 10% të bletëve të tyre çdo vit.

Ndërkaq, autoritet në Kosovë nuk janë në dijeni për një ndalesë të tillë nga ana e BE-së.

Komuna e Malishevës është nder vendet që ka më së shumti bletë, por edhe që përdorë më së shumti preparate të spërkatjes për shkak të prezencës së rriqrave viteve të fundit.

Murat Hoxha, drejtor i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimi Rural në komunën e Malishevës nuk është në dijeni për një vendim të tillë të BE-së.

Ai thotë se lajmërimet për bletarët bëhen më kohë që ata t’i mbyllin bletët dhe se nuk bëhet spërkatja në afërsi të tyre.

“Jemi munduar që aty ku ka bletë mos të bëjmë spërkatjen. Kjo për arsyeje që mos me pas problem me bletët. Ndërsa aty ku ka pasur nevojë të shpëtohen jetë kemi intervenuar. Pra kemi intervenuar vetëm në zonat më të rrezikuara. Dihet që bleta shkon larg dhe ushqehet edhe në pjesë tjera, por jemi munduar t’i ruajmë. Bletët janë dëmtuar vazhdimisht në vitin e kaluar, por ne si drejtori i kemi ndihmuar bletarët, me pajisje me koshere”, tha ai për lajmi.net.

Në komunën e Malishevës janë afërsisht mbi 400 bletarë, dikush ka më shumë e dikush më pak.

Që disa vite edhe komuna e Prishtinës bënë dezinsktimin hapësinor në krejt lagjet e saj, deri në Graqanicë. Në këtë Komunë thonë se spërkatja bëhet në mënyrë profesionale.

“Të gjitha preparatet që përdoren për dezinsektimin e hapësirave publike në Komunën e Prishtinës janë të sigurta dhe të regjistruara për përdorim në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në të njëjtën kohë, në çdo lajmërim për dezinsektim, bëhet thirrje te shoqatat e bletarëve, për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe. Po ashtu, njoftimi e përmban datën, kohen dhe vendin e dezinsektimit, në mënyre që bletaret, por edhe qytetarët të marrin informatën e plotë që të marrin masat e duhura”, tha për lajmi.net, Miranda Mullafazliu – Bejta, zyrtare për marrëdhënie me media në Komunën e Prishtinës.

Arsim Memaj, shef i divizionit për blegtori në ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka thënë për lajmi.net, se tash për tash nuk ka ndonjë vendim për të ndaluar spërkatjen hapësinore.

“Para së gjithash më duhet të them se unë nuk jam vendimmarrësi. Jam menaxher i implemtnimit të projektit tre vjeçar që ka filluar nga viti i kaluar. Projekti për dezinfektimin e hapësirave. Sa i përket vendimmarrjes është një komitet nacional për luftimin e sëmundjeve e krimit kongo, ku kryesuese është ministria e Shëndetësisë, Institut i shëndetit publik, ministria e Mjedisit, ministria e Bujqësisë dhe drejtoria komunale. Pra lidhur me vendimet nëse do të vazhdohet apo jo, ose cilat janë impaktet, ndalesat apo kufizimet, nuk mund tu përgjigjem sepse nuk është në përgjegjësinë tona”, tha Memaj për lajmi.net.

Ndërkaq, komuna e Drenasit në lajmërimin e saj ka thënë se “Të gjithë bletarët këshillohen që të mos lëshojnë bletët e tyre dy ditë pas dezinfektimit”.

Ndonëse, autoritet thonë se nuk e bëjnë spërkatjen në afërsi të bletëve, mjafton një kërkim në Googel për këto gjallesa dhe shihet se ato për të kërkuar ushqim udhëtojnë afër 10 kilometra.

Gjatë mbledhjes së pjalmit dhe të nektarit, bletët shtëpiake vizitojnë shumë bimë, e falë kësaj përzgjedhjeje të tyre luajnë një rol të madh në procesin riprodhues të bimëve, duke çuar pjalmin nga njëra lule në tjetrën. Bletët janë shumë të çmuara dhe të pazëvendësueshme që jeta bimore të vazhdojë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat