Pupovci: Universitetet publike, përpos atij të UP’së, u hapën në kohë fushatash vetëm për vota

Kosova

Pupovci: Universitetet publike, përpos atij të UP’së, u hapën në kohë fushatash vetëm për vota

Më: 16 korrik 2019 Në ora: 09:11
Dukagjin Pupovci

Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) për mos-akreditim të tri universiteteve publike, të Prizrenit, Pejës e Mitrovicës, nuk e ka habitur drejtuesin e Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovcin, i cili thotë se këto janë probleme të trashëguara të cilat nuk janë adresuar për shkaqe politike.

KSHC, në mbledhjen e mbajtur të hënën, vendosi në favor të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që këtyre universiteteve t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020.

Ndërkaq Pupovci, ka thënë se këto universitet janë hapur për vota dhe elitat politike kanë insistuar që ato të kalojnë në proces të akreditimit pa pasur kujdes që t’i përmbushin kushtet.

“Më shumë do të dihet kur t’i kemi në dispozicion raportin e grupit të ekspertëve të cilin nuk besoj ta ketë parë dikush përveç Agjencisë edhe vetë universiteteve. Por po besoj që kërkohet përmbushja e kritereve bazike që kanë të bëjnë me stafin akademik”, thotë ai.

Sipas Pupovcit, asnjëri nga universitetet publike në vend, përveç atij të Prishtinës, nuk është themeluar duke ndjekur ndonjë rrugë të përgatitjeve siç është e zakonshme me rastin e themelimit të universiteteve të tilla.

Ai thotë se themelimi i këtyre universiteteve është bërë shpejt e shpejtë në kohë të fushatave zgjedhore dhe me qëllim të përfitimit të votave.

“Edhe pasi janë themeluar këto universitete, subjektet politike nuk janë kujdesur që ato t’i adresojnë këto probleme të cilësisë por kanë qenë të kënaqura me faktin që i kanë themeluar dhe i kanë fituar votat, tani thjesht po vjen fatura për një veprim të tillë të pamenduar mirë”, thotë ai.

Ndërkaq, Pupovci thotë se reagimi i kryeministrit Haradinaj mund t’i kushtojë Agjencionit për Akreditim me përjashtim nga Rrjeti Evropian i Agjencive për Sigurimin e Cilësisë (ENQA).

Ai thotë se kur kishte reaguar kryeministri herën e fundit në vitin 2017 në lidhje me procesin e akreditimit, Agjencia e Akreditimit është përjashtuar nga EQAR-i, ndërsa statusi në ENQA është degraduar nga “anëtare e plotë” në “Agjenci nën vëzhgim”.

“Tani, nëse Qeveria vepron në kundërshtim të këtij vendimi, duke e cenuar pavarësinë e Agjencisë së Akreditimit, unë mendoj që do të pasojë edhe përjashtimi nga ENQA që do të thotë një lloj goditje e plotë e arsimit të lartë në Kosovë nga hapësira evropiane e arsimit të lartë”, ka thënë ai.

Pupovci e sheh të domosdoshme tërheqjen e kryeministrit dhe ministrave nga punët e Agjencisë pasi që konsideron që një gjë e tillë është e papranueshme.

“Mendoj që kryeministri dhe ministrat tjerë do të duhej të tërhiqeshin nga këto plane të veta që të ndërhyjnë në punën e Agjencisë sepse kjo është e papranueshme për çdo vend evropian dhe do të duhej të respektohej pavarësia e këtij institucioni i cili këtë herë edhe është emëruar nga Kuvendi i Kosovës”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë derisa ka kërkuar veprim të menjëhershëm për zgjidhjen e kësaj situate.

Ndërkaq zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mos-akreditimin e Universiteteve Publike të Prizrenit, Pejës dhe Mitrovicës, është i nxituar dhe aspak i pranueshëm.

Derisa, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi në konferencën e mbajtur sot, në lidhje me vendimin e mos-akreditimit të tri universiteteve publike, ka theksuar se ky vendim është në kundërshtim me vendimin e datës 12 korrik 2019, sipas të cilit, Këshilli nuk duhet të marrë asnjë vendim pa pasur një qartësim në lidhje me çështjet që janë ngritur nga Agjencia Antikorrupsion.

Kujtojmë se në nenin 3 të themelimit dhe statusit të AKA-s thuhet se “AKA është themeluar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në pajtim me Ligjin mbi Arsimin e Lartë në Kosovë (Nr. 2002/ 3). Agjencia ushtron veprimtari të pavarur profesionale jofitimprurëse në Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) në Kosovë dhe garanton cilësinë e punës arsimore dhe kërkimore shkencore”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat