Ndihmuan të rinjtë që u aksidentuan, Italia u jep nënshtetësi shqiptarëve të Kosovës

Kosova

Ndihmuan të rinjtë që u aksidentuan, Italia u jep nënshtetësi shqiptarëve të Kosovës

Më: 25 korrik 2019 Në ora: 15:16
Foto

Pesë emigrantë shqiptarë nga Kosova, Laurat Hoti, Florim Bytyçi, Burim Kuçi, Ilir Lekaj e Lulzim Bytyçi, që prej disa vitesh jetojnë e punojnë në Itali janë vlerësuar me “Nënshtetësinë e nderit italiane” për gjestin e tyre heroik në shpëtimin e pesë të rinjve, të cilët pas një aksidenti rrugor ishin rrëzuar në një kanal me ujë së bashku me makinën.

Ngjarja tragjike ndodhi në afërsi të qytetit të Jesolo. Në natën e 14 korrikut, 5 emigrantët shqiptarë të gjithë me profesionin muratorë, ishin të parët që u gjendën në vendin e aksidentit e pa u hezituar u zhytën në ujë për të shpëtuar të rinjtë italianë.

Mundën të nxjerrin gjallë prej ujit vetëm Giorgia Diral, ndërsa 4 të rinjtë e tjerë, të gjithë në moshën 22-23 vjeçare kishin mbetur viktimë. Pesë emigrantët kosovarë, nxorën trupat nga uji e bënë ç’është e mundur t’i japin ndihmën e parë të rinjve të aksidentuar duke lajmëruar dhe mjetet e shpëtimit e ndihmën mjekësore.

Pas gjestit të tyre, pa të cilin Giorgia sot nuk do të kishte jetuar, shqiptarët u larguan në heshtje pa pretenduar as falënderime e nderime.

Ishte familja e Giorgias dhe kryetarja e Bashkisë së Musile të cilët kontaktuan emigrantët e Kosovës e në dakortësi dhe me kryetarët e bashkisë së komunave përreth, vendosën t’i nderojnë për gjestin e tyre heroik me vlerësimin “Nënshtetësia e nderit italiane”, si shembull të një qytetarie model. Pak ditë më parë u zhvillua ceremonia e varrimit e 4 të rinjve që mbetën viktimë e këtij aksidenti tragjik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat