Makolli thotë se e ka çuditur lajmi për dorëheqjen e Bahtirit nga AKR

Kosova

Makolli thotë se e ka çuditur lajmi për dorëheqjen e Bahtirit nga AKR

Më: 25 korrik 2019 Në ora: 18:12
Vesel Makolli

Sekretari i përgjithshëm i partisë Aleanca Kosova e Re, Vesel Makolli, ka thënë se e ka befasuar lajmi për dorëheqjen e Kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtirit, nga AKR-ja.

Makolli është shprehur skeptik rreth kësaj dorëheqje duke shtuar se edhe nëse qëndron një gjë e tillë, Bahtiri do të duhej t’i respektonte procedurat për dorëheqje, e jo të japë dorëheqje në këtë mënyrë.

“Jo nuk jemi në dijeni për këtë – unë po dyshoj rreth kësaj gjejë. Më ka çuditur ky lajm sepse ai është zëvendëspresident i partisë. Por edhe nëse është i vërtetë lajmi; ai [Agim Bahtiri] është dashur që të deklarohet njëherë gojarisht dhe jo të japë dorëheqje në këtë mënyrë sepse ekzistojnë mënyra të tjera”.

“Për pozitën që ka, kjo është një non-sens; ky hap është shumë i habitshëm për mua. Ne jetojmë në Europë dhe kemi nevojë për njerëz të përgjegjshëm. Bahtiri është një lider dhe prandaj pritet sjellje e kulturuar nga ai”.

I pyetur nëse ka pasur ndonjë mosmarrëveshje gjatë kohëve të fundit që e ka shtyrë Bahtirin të japë dorëheqje nga kjo parti, Makolli ka thënë se nuk dihet të ketë pasur një mosmarrëveshje të tillë.

“Gjatë kohëve të fundit nuk dihet se ka pasur ndonjë mosmarrëveshje, por kjo që del nëpër portale se ai dëshiron të hyjë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, pikësëpari ne ende nuk e dimë datën e zgjedhjeve dhe së dyti ne synojmë që të shkojmë në zgjedhje vetëm (pa koalicion).

“Por nëse na imponohet situata; atëherë kjo duhet të analizohet dhe shqyrtohet duke pasur parasysh interesin e përgjithshëm të partisë dhe duke lënë anash interesat individuale”.

“Nuk ka pasur ndonjë arsye që Agim Bahtiri të japë dorëheqje nga AKR. Përkundrazi, ai ka qenë njeriu më i privilegjuar në parti”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat