Veseli: Dorëheqja e Haradinajt kalkulim partiak, jo e papritur

Kosova

Veseli: Dorëheqja e Haradinajt kalkulim partiak, jo e papritur

Më: 29 korrik 2019 Në ora: 20:26
Kryeparlamentari Kadri Veseli

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se dorëheqja e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit ishte e pa konsultuar, por jo edhe e papritur.

Në mbledhjen konstituive të Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, Veseli ka thënë se dorëheqja e Haradinajt nuk ka qenë pa kalkulim partiak.

“Në këtë takim të parë të Këshillit Drejtues të partisë sonë, jemi mbledhur sot, edhe për përgjigje të një situate të re, e cila është krijuar në vendin tonë. Kryeministri ka dhënë dorëheqje. Dorëheqja e Kryeministrit ishte e pa konsultuar. Por jo edhe e papritur! Vendim ad-hoc dhe befasues për të tjerët, por jo edhe i papritur dhe pa kalkulim partiak të paramenduar nga kryeministri tani i vetëlarguar”, ka thënë Veseli.

Ai po ashtu ka thënë se PDK është e gatshme për zgjedhje.

“Tradicionalisht, PDK, ka dëshmuar në gjithë historinë e vet, se legjitimiteti qytetar çdo herë, i marrë nga zgjedhjet e drejtpërdrejta është forma më legjitime dhe e arsyeshme e mbajtjes së pushtetit për ne si parti. Kështu kemi vepruar çdo herë, edhe kur ne kemi udhëhequr qeverinë edhe herën e kaluar me LDK-në kur u tentua të sulmohej rëndë PDK-ja për jo korrektësi politike. Kjo dorëheqje e paprovokuar nga PDK, tregon moralin tonë të vërtetë politik, të drejtë dhe parimor”, ka shtuar ai.

“PDK do të jetë fituese e zgjedhjeve, jo thjesht për ta mbrojtur dhe garantuar qëndrueshmërinë e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës, të cilën e kemi detyrë patriotike dhe kushtetuese. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet, për ta ndryshuar Kosovën”, theksoi ai. “Ne nuk luftojmë të fitojmë vetëm një palë zgjedhje, Partia Demokratike e Kosovës lufton të fitojë Kosova, për të mos lejuar që të tjerët ta dështojnë Kosovën”, ka deklaruar Veseli.

Veseli ka lavdëruar procesin e brendshëm zgjedhor në PDK duke shtuar se “me mijëra vajza e djem, të rinj e të moshuar, burra e gra, intelektualë e punëtorë, sipërmarrës, mjekë e arsimtarë, sot qëndrojnë të gatshëm për të shënuar fitoren e radhës të Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet që po vijnë”.

Haradinaj dha dorëheqje më 19 korrik duke u arsyetuar se nuk dëshiron t’i përgjigjet ftesës nga Gjykata Speciale në cilësinë e kryeministrit, por vetëm si qytetar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat