Në Pejë hapet mediumi më i ri "Radio Një"

Kosova

Në Pejë hapet mediumi më i ri "Radio Një"

Më: 29 korrik 2019 Në ora: 21:28
Foto

"Radio Një", kështu do ta ketë emrin mediumi më i ri në Kosovë. Radio kjo e cila bëri hapjen mbrëmjen e së hënës, në praninë e shumë përfaqësuesve politik, gazetarë të shumtë, e po ashtu edhe qytetarë të Pejës.

Kryeredaktori Fitim Behluli tha se me hapjen e kësaj radio, po mundësohet edhe hapja e jo më pak se 13 vendeve të reja të punës në Pejë.

Behluli: Po hapen edhe 13 vende të reja të punës

"Nga sonte Pejës po ia dhurojmë një kapitull të ri, po e hapim ‘Radion Një’. Por, para se të hapim median një, ne sot fillimisht po hapim 13 vende të reja të punës, dhe ato po i hapim në Pejë. Për këta tetë muaj të tjerë, kur vendosëm të hapëm radion, ne shpesh u thyem, u djersitëm, u demotivuam, por ia dolëm. Emëruesi i pandalshmërisë tonë deri më tani ishit ju, ishin dëgjuesit, ishin familjet tona, ishte guximi, vërtetë guximi, sepse po hapim radion në epokën e mediave sociale, po hapim radion kur njerëzit që janë rritur me radio, po na ikin çdo ditë, po na lënë", tha Behluli.

Përpos korrektësisë dhe paanshmërisë, u zotua se në këtë medium nuk do të ketë vend për opinionistë dhe profiterë që duan të përfitojnë vetëm para.

Drejtori i “Radio Një”, Arben Rexhepi tha se nga sot po nisin një rrugëtim të pandalshëm dhe të gjatë.

Rexhepi: Kur e nisëm rrugëtimin për shumë kë ishte ëndërr

"Kur e nisëm këtë iniciativë para tetë muajsh për shumë kë edhe nga ne ka qenë ëndërr. Por falë mbështetjes dhe masës së gjerë që kishin të qartë qëllimin tonë që nga nisja, sot po ja dalim të bëjmë gëzuar që të gjithë bashkë me valën 98.0 FM me shtrirje rajonale dhe globale. Ne do të mirëpresim kritikën dhe sugjerimin. Ne po e nisim këtu një medium të pavarur dhe të paanshëm dhe gjithnjë duke pasqyruar shijet dhe kërkesat e dëgjuesit", tha drejtori i kësaj radioje.

Në hapjen e këtij mediumi të ri, pjesëmarrës ishte edhe kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, i cili duke uruar hapjen e këtij mediumi të ri, tha se media në Kosovë është e sfiduar.

Haradinaj: Mediet në Kosovë janë të sfiduara

"Më vjen mirë që media në Kosovë, megjithatë punon, funksionon me një liri të veprimit të arsyetuar. E dimë që është e sfiduar prej gjendjes socio-ekononimike, e prej të gjitha proceseve të tjera që duhet, pra e kuptojmë që jeni në sfidë, me të vërtetë jeni inkurajues me projektet e juaja. Ju lutem vetëm vendin duajeni sepse atëherë keni të drejtë, ne ju ndjekim juve", ka theksuar Haradinaj.

Për hapjen e “Radios Një” në Pejë, ka uruar edhe i pari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, i cili mes tjerash i ka inkurajuar gazetarët në këtë medium, për informim të paanshëm dhe rrugëtim të suksesshëm.

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat