Pyjet e Kosovës po vazhdojnë të rrezikohen

Kosova

Pyjet e Kosovës po vazhdojnë të rrezikohen

Më: 30 korrik 2019 Në ora: 16:19
Foto ilustruese

EC Ma Ndryshe në bashkëpunim me Klubin e Ambientit “Luciano Motroni” ka organizuar tryezën e diskutimit “Gjendja e pyjeve dhe problemi i shpyllëzimit”.

Kjo tryezë është organizuar me qëllim që të prezantojë gjendjen ekzistuese të pyjeve dhe të trajtojë problematikën e dëmtimit të pyjeve përmes formave të ndryshme. Në këtë diskutim është prezantuar gjendja aktuale e pyjeve, efekti zingjiror që shkakton shpyllëzimi, trajtimi që ofrohet nga ligji për këtë çështje dhe situata në Parkun Kombëtar të Sharrit. Panelistë të këtij debati ishin Izet Osmanaj nga Drejtoria e Bujqësisë, Alban Hyseni – Ekolog dhe ligjërues në Universitetin e Prishtinës, dhe Bekim Bytyqi nga D.A.P.K Sharri.

Osmanaj njoftoi të pranishmit mbi sfidat që ky institucion has në monitorimin e vazhdueshëm të pyjeve të rajonit të Prizrenit, aksionet e pyllëzimit, fletëparaqitjeve që bëhën ndaj prerësve ilegal si dhe bashkëpunimin që këta të fundit kanë më institucionet e rendit dhe drejtësisë, njofton Klan Kosova.

Në anën tjetër profesori nga Universiteti i Prishtinës, Alban Hysenaj foli mbi pasojat e shpyllëzimit, prishjen e balancit ekologjik, shkatërrimit të habitateve, prishjes së zingjirit ushqimor, ndryshim të ciklit ujor e kështu me radhë. Nga ky u fundit u potencua që tematika e mbrojtjes së ambientit duhet të futet si lëndë obligative në kurrikulën shkollore pasi që mënyra më e mirë e luftimit të këtyre fenomeneve të dëmshme ndaj natyrës është vetëdijesimi kolektiv.

Përfaqësuesi i DAPK Sharri dha informata mbi gjendjen aktuale në këtë park nacional, duke informuar të pranishmit mbi veçoritë dhe vlerat e biodiversitetit në këtë zonë. Poashtu në kuadër të këtij prezantimi u elaborua edhe pjesa e legjislacionit që rregullon menaxhimin e PK Sharrit.

U potencua që pyjet tona po rrezikohen vazhdimisht nga prerjet ilegale dhe zjarrëvëniet e qëllimshme, të cilat janë duke shkaktuar dëme afatgjata.

Ky aktivitet është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat