Myftiu Tërnava përsëri në Haxhillëk, thotë se vetë i mbulon shpenzimet

Kosova

Myftiu Tërnava përsëri në Haxhillëk, thotë se vetë i mbulon shpenzimet

Më: 31 korrik 2019 Në ora: 16:01
Foto

216 besimtarë myslimanë të Prishtinës, nga gjithsej 1080 sa do të udhëtojnë këtë vit, janë nisur sot nga Kosova për ta kryer Haxhin, si kushtin e pestë të besimit islam.

Në mesin e tyre është dhe kryetari i Bashkësisë Islame, myftiu Naim Tërnava, për të cilin nuk është hera e parë që po udhëton për në Mekë.

Ky i fundit tha se sot po realizohet ëndrra e shumë personave.

“Mund të them me përgjegjësi që çdo gjë sa i përket përgatitjes deri tash ka përfunduar, çdo gjë është në nivelin e duhur dhe besoj bashkarisht këtë vit të jem edhe unë me haxhinjtë e Kosovës t’i kalojmë këto 23 ditë në Mekë dhe Medinë ku do të kryejmë edhe këtë ibadet”, tha ai.


Disa nga ata që po presin për t’u nisur në aeroportin “Adem Jashari”, thonë se çmimi për këtë udhëtim ka qenë i lartë.

Një gjë të tillë nuk thotë Tërnava, derisa siguron se këto udhëtime i paguan gjithmonë vet.

“Haxhi bazuar në udhëtimin apo ushqimin, është një çmim i mirë dhe nuk është i lartë. Sepse është një çmim i arsyeshëm në raport me përgjegjësitë të cilat i ka Bashkësia Islame e Kosovës dhe pagesat të cilat duhet bërë për haxhi”, ka thënë ai.

Kujtojmë se numri i besimtarëve që shkojnë në vendet e shenjta  është rritur dhjetëfish dhe mosha mesatare është 40 vjet, ndërsa çmimi i Haxhit për besimtarët kosovarë këtë vit është 4.150 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat