Tradita e gjuajtjes me armë zjarri nëpër ahengje në Kosovë, 44 persona të arrestuar për 6 muaj

Kosova

Tradita e gjuajtjes me armë zjarri nëpër ahengje në Kosovë, 44 persona të arrestuar për 6 muaj

Më: 4 gusht 2019 Në ora: 17:09
Ilustrim

Shqiptarët e Kosovës nuk po e ndalin festimin e ahengjeve me armë zjarri. Vetëm nga fillimi i vitit 44 persona janë arrestuar për gjuajtje me armë nëpër festat familjare. 2 prej tyre janë dërguar në mbajtje e 42 të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Tradita e organizimit të ahengjeve familjare në Kosovë ka evoluuar me kalimin e viteve. Tashmë fejesat, dasmat, synetitë e të tjera ahengje kanë marrë një karakter krejt tjetër festimi. Më shumë të ftuar e organizim deri në detaje, këto festa familjare kanë ndryshuar shumë nga e kaluara.

Por, një gjë që nuk ka ndryshuar në festimin e gëzimeve familjare në vend është gjuajtja me armë zjarri.

Nuk ka ndonjë shpjegim të qartë pse shqiptarët i përdorin armët në ahengjet familjare, por kjo bëhet vetëm për qejf.

E ky qejf u ka kushtuar edhe me jetë shpesh herë familjarëve të cilët kanë shtënë me armë zjarri nëpër ahengjet e tyre. Nuk janë të pakta rastet kur kanë përfunduar me plagosje, e madje edhe me vdekje të personave që kanë qenë prezentë.

Vetëm nga fillimi i këtij viti, 44 persona janë arrestuar për gjuajtje me armë zjarri nëpër ahengje familjare.

“7 persona janë arrestuar në Prishtinë, 6 në Gjilan, 2 në Ferizaj, 11 në Prizren, 6 në Pejë, 7 në Gjakovë dhe 5 në Mitrovicën jugore, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Prej 44 personave të arrestuar, vetëm 2 prej tyre janë dërguar në mbajtje. Një nga Prishtina dhe një nga Peja. Të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.

“Prishtinë 6, Gjilan 6, Ferizaj 2, Prizren 11, Pejë 5, Gjakovë 7, Mitrovicë Jugore 5, gjithsej 42 të liruar në procedura të rregullt”, thekson policia.

Në 44 raste të evidentuara gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, janë konfiskuar 44 armë.

“Prishtinë 7, Gjilan 6, Ferizaj 2, Prizren 11, Pejë 6, Gjakovë 7, Mitrovicë Jugore 5, gjithsej 44 armë të konfiskuara”, bën të ditur policia.

Përveç ahengjeve familjare, shqiptarët e Kosovës gjuajnë me armë zjarri edhe për festën e Vitit të Ri. Një rast i tillë në 1 janarin e këtij viti në Gjilan pati përfunduar me fatalitet.

Pas ndërrimit të motmoteve, burri nga fshati Selishtë e Gjilanit kishte gjuajtur me armë zjarri ndërkaq aksidentalisht plumbi kishte shkuar në drejtim të gruas së tij. 62-vjeçarja ishte dërguar në spital pa shenja jete.

Policia e Kosovës vite më parë ka lansuar kampanjën “Festo me zemër, jo me armë”, kampanjë kjo e cila nuk po respektohet nga qytetarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat