Një person në gjendje të rëndë nga ethet e minjve, bëhet apel në pastrimin e frutave të malit

Kosova

Një person në gjendje të rëndë nga ethet e minjve, bëhet apel në pastrimin e frutave të malit

Më: 6 gusht 2019 Në ora: 21:29
Ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë thirrje që të bëhet kujdes gjatë konsumit të frutave të malit sepse nëse ato nuk lahen mund të sjellin sëmundjen nga ethet e minjve.

 “Duke pasur parasysh se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përcjell situatën epidemiologjike me ethet e minjve, për çdo vit paraqiten raste sporadike, të cilat në Kosovë janë të përhapura, në rajonin e Dukagjinit, rajonin e Karadakut dhe rajonin e Shalës, varësisht nga shumimi i minjve”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij instituti këtë vit është raportuar një rast i nga Klinika Infektive dhe personi është në gjendje të rëndë klinike.

Burimet e kësaj sëmundjeje përhapen me ushqim, me aerosole dhe me kontakt.

“Rastet me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes veti dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre, por pakujdesi gjatë ruajtjes së ushqimit dhe konsumimi i manave të palara mund të shkaktojë sëmundje vdekjepruese.

Në organizmin e njeriut shkaktari hy përmes tri portave hyrëse: trakti respirator, trakti tretës dhe përmes lëkurës”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, trajtimi i sëmundjes bëhet me sukses të plotë në Klinikën Infektive në qoftë se paraqiten me kohë. Poqese të sëmurët kërkojnë ndihmë me vonesë paraqiten komplikime, e që mund të bllokohen veshkat.

Klinika Interne, gjegjësisht repartet e dializës janë të gatshme që të hemodializojnë përkohësisht pacientët. Ndërsa, Instituti Kombëtar me laboratorët e vet, e diagnostikon sëmundjen brenda ditës.

Masat parandaluese sipas IKSHB-së janë këto:

1. Pengimi i futjes së brejtësve në shtëpi dhe stane.
2. Ruajtja e ushqimit nga ekskretet e brejtësve.
3. Përpunimi termik i artikujve ushqimor të dyshimtë
4. Frytet e pyllit mos të konsumohen pa u pastruar 
5. Djathit të freskët t’i shtohet kripë dhe mos tē konsumohet si i freskët nëse dyshohet se është kontaminuar
6. Gjatë punës në fushë të punohet me maska nëse vërehet shtim të brejtësve
7. Larja e duarve me ujë dhe sapun te kosarët dhe punëtorët tjerë të fushës para ngrënies
8. Mos hidhni mbeturina kudo
9. Të bëhet klorimi i ujit të pijes
10. Zhdukja e vatrave natyrore të brejtësve
11. Dezinfektimi i sipërfaqeve të kontaminuara nga ekskretet e brejtësve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat