‘Shoqata “Jetimët e Ballkanit” s’ka sjellë mish të prishur, faji është te frigoriferi’

Kosova

‘Shoqata “Jetimët e Ballkanit” s’ka sjellë mish të prishur, faji është te frigoriferi’

Më: 22 gusht 2019 Në ora: 14:05
Foto ilustrim

Komuna e Skenderajt është deklaruar rreth sasisë së mishit të prishur, i cili është asgjësuar nga AUV, pasi nuk ishte për konsum.

“800 kilogramë mish ka ardhur në gjendje të rregullt, për t’u shpërndarë për familjet në nevojë për nder të Kurban Bajramit, nga Shoqata “Jetimët e Ballkanit”. Më datë 12 gusht, një ditë pas Bajramit, e tërë sasia e mishit është futur në frigoriferë për të ruajtur freskinë, mirëpo për shkak se aparati ftohës ose nuk ishte në gjendje të rregullt funksioni ose ka pasur mungesë të energjisë elektrike, mishi gradualisht ka filluar të prishet, dhe më 19 gusht, pas inspektimit nga ana e inspektorëve të AUV-së, është bërë asgjësimi i tij nga kompania e pastrimit në Mitrovicë”, thuhet në sqarim.

Komuna e Skenderajt konstaton se Shoqata “Jetimët e Ballkanit” nuk ka sjellë mish të prishur për shpërndarje.

Komuna e Skenderajt e vlerëson bashkëpunimin e mirë me “Jetimët e Ballkanit”, e cila vazhdon të ndihmojë familjet me gjendje të rëndë ekonomike e sociale, duke u shpërndarë gjëra ushqimore, ndërtuar shtëpi banimi dhe veprime të tjera humanitare.

Ndryshe, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka asgjësuar 800 kilogramë mish gjedhi të destinuar për familjet në nevojë të shoqatës ‘Jetimët e Ballkanit’, pasi nuk i plotësonte kushtet për konsum.

Lajmi për KosovaPress dje ishte konfirmuar nga zëdhënësi për media në AUV, Lamir Thaçi.

“Kemi pranuar një kërkesë nga inspektorët komunalë të Skenderajt, për kontroll të një sasie të mishit të destinuar për familjet në nevojë të shoqatës ‘Jetimët e Ballkanit’, dhe për të njëjtën sasi prej 800 kg inspektori veterinar i AUV-së ka vendosur se mishi nuk i plotëson kushtet për konsum dhe është bërë asgjësimi i tij nga kompania ‘Pastrimi’ në Mitrovicë më datë 19.08.2019”, ka thënë Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat