Liqeni i Batllavës po pret dorën e investimeve

Kosova

Liqeni i Batllavës po pret dorën e investimeve

Më: 24 gusht 2019 Në ora: 12:01
Liqeni i Batllavës po pret dorën e investimeve

Natyra nuk kurseu dorën e saj në bukuritë e Liqenit të Batllavës, por dora e njeriut po. I ndërtuar në vitin 1961 me një natyrë të virgjër e me vendplazhe të përshtatshme për pushim, ky liqen mbetet atraksion për turistët pa llogaritur investimet që mungojnë dhe kushtet jo shumë të favorshme.

Këto janë pamjet e njërit kënd të lojërave sportive dhe lodrave e që do të duhej të ishe atraksion për fëmijë e vendtakim për sportet e të rinjëve.

Një pjesë të pensionimit, Bashkim Xhyrxhala ka vendosur ta jetojë në Liqenin e Batllavës.

Ai ka një shtëpi këtu ku e kalon verën e pjesën e mbetur të jetës. Shtegu për ecje është shumë i nevojshëm, e për pastërtinë thotë se kohët e fundit është përmirësuar. Duke mos llogaritur vështirësitë e të metat, Xhyrxhala iu bënë thirrje qytetarëve të vijnë dhe t’i shfrytëzojnë këto bukuri, duke mos hedhur mbeturinat që ndotin liqenin.

Xhyrxhala: Mungon shtegu për ecje në Liqenin e Batllavës

“Verës kryesisht vijë në shtëpinë verore sepse tash jam në pension, kështu që kam kohë dhe kam kënaqësi të rri në këtë ambient të bukur që vërtetë është shumë ajri i pastër dhe qetësi, por edhe liqenin e mrekullueshëm të Batllavës...kohët e fundit është përmirësu diçka pastërtia në këto plazhe, janë dy njerëz sa i kam pa pastrojnë kohë pas kohe, kështu që është më pastër, mirëpo hala kish pas nevojë, veçanërisht kisha apelu që qytetarët që vijnë me shfrytëzu këtë bukuri të kenë kujdes, mos t’i hedhin mbeturinat, mbeturinat mundë t’i marrin me veti dhe t’i hedhin aty ku duhet...po ajo që mua do të më kishte pëlqyer edhe që nevojitet është një shteg për ecje, vrapim, i cili mungon, kështu që njerëzit janë detyruar kur duan me ecë, ecin në rrugën kryesore të asfaltuar ku ka automjete dhe është rrezik. Është një shteg në anën e kundërt të Liqenit, mirëpo është vështirë me dal atj e, kështu që ish deshtë  me pas në këtë anë përskaj rrugës, brenda në pyll, në një ambient të ngjashëm si në Gërmi”, tha ai.

Mungesën e pranisë institucionale në këtë liqe e vëren edhe Rexhep Zeka nga Orllani, pronar i një biznesi skaj rrugës së liqenit.

Zeka thotë se mungon përkrahje institucionale në mënyrë që ky liqe të shfrytëzohet më shumë për turizëm sepse ka shumë potencial.

Sipas tij, pastërtia është në nivel por se shportat mungojnë, të cilat do t’ia kishin lehtësuar punën edhe vet kompanive që merren më pastrim.

Zeka: Orllani është i frekuentuar nga shumë vizitorë, mirëpo mungon përkrahje institucionale

“Po ne kemi një biznes të vogël këtu, natyrisht liqeni i Batllavës, pra vet Orllani është i frekuentuar nga shumë vizitorë fatmirësisht, mirëpo mungon përkrahje institucionale që të jetë më shumë i shfrytëzuar për turizëm sepse siç e dimë ka shumë potencial...infrastruktura deri diku i plotëson kriteret, natyrisht ka shumë nevojë për investime të tjera. Ndërsa pastërtia këtë vit fatmirësisht nga muaji qershor kanë filluar dy punëtorë me e mbajt pastërtinë në këtë pjesë, mirëpo mbetet ende shqetësuese mungesa e shportave në këtë pjesë sepse shumë vizitorë nuk kanë ku me i hedhë mbeturinat edhe detyrohen me i lanë aty gjëkundi, mirëpo shportat nëse ishin vendos në këtë pjesë ia kishin lehtësuar punën edhe vet atyre që janë duke e mirëmbajtur”, tha ai.

Zeka bëri të ditur se Ministria e Mjedisit ka formuar një grup punues i cili ka bërë disa matje dhe pastaj pritet të dalin me një projektplan për zhvillimin e turizmit në këtë pjesë, i cili do të ndihmonte edhe vet banorët që qëndrimin në këtë pjesë, pasi shumë banorë kanë filluar të largohen.

Zeka: Ministria e Mjedisit ka formuar një ekip për hartimin e një plani hapësinor për Batllavën

“Përndryshe ne drejtojmë një organizatë joqeveritare si ndihmë e Demokracisë në Kosovë, e cila organizatë ka drejtuar edhe kërkesa në institucionet përkatëse, si Ministrinë e Mjedisit, po ashtu edhe në Komunën e Podujevës që të gjendet mundësia dhe potenciale që në mënyrë ligjore ose ligjërisht ta vëmë në binarë zhvillim e turizmit në këtë pjesë duke pasur parasysh se ka shumë potenciale për zhvillimin e turizmit. Fatmirësisht Ministria e Mjedisit ka formuar një ekip, një grup punues i cili është veçse duke punuar në këtë drejtim, ka bërë disa matje dhe besoj që shumë shpejt do të dalin me një projektplan për zhvillimin e turizmit në këtë pjesë i cili do të ndihmonte edhe vet banorët për qëndrimin këtu sepse fatkeqësisht kanë filluar të zbrazen fshatrat përreth në Orllan dhe ajo do të  gjeneronte vende të punës, zhvillimi i turizmit pra edhe banorët do të qëndronin këtu dhe zhvillimi ekonomik do të ishte edhe për vet komunën, jo vetëm për Orllanin”, tha ai.

Se sa është investuar nga niveli lokal dhe ai qendror, tregon fakti që fshati Orllan ende nuk është i kyçur në rrjetin e ujësjellësit në liqenin që gjendet në territorin e tij dhe furnizon mbi gjysmën e Kosovës me ujë.

I kontaktuar nga kp, Leutrim Sahiti, zyrtar për media nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tha se ministri në detyrë, Fatmir Matoshi përpos ujësjellësit dhe rrënimit të objekteve pa leje në këtë pjesë, qëllim tjetër ka hartimin e një plani hapësinorë për Batllavën, ku parashihet se si do të ndërtohet kjo pjesë.

Sipas Sahitit, kërkesat për shtegun e ecjes, zona e veçantë për kamping dhe parku i Batllavës do të vihen në jetë me planin hapësinor.

“Pas ankesave që kemi pas por që janë vonu punimet për fillimin e projekti për ndërtimin e Ujësjellësit në Orllan ka qenë diku para 6-7 muajve ka pas disa vonesa vitin e kaluar mirëpo kjo ka fillu, tash ka fillu projekti po në ato takime që ministri Matoshi i ka pas me banorët ka premtuar që përpos Ujësjellësit dhe përpos që kemi shku dhe i kemi rrënu ndërtimet pa leje që kanë qenë afër liqenit. Qëllimi i ministrisë është që atë pjesë me shndërruar në pjesë turistike, edhe për këtë jemi duke e bërë planin hapësinor. Është duke u hartu plani hapësinor për Batllavën që është në kuadër tonën, kur të bëhet plani hapësinor, atëherë në bazë të atij plani do të vendoset qysh ka me u zhvillu, qysh ka me u ndërtu ajo pjesë afër Batllavës. Është paraparë shtegu për biçikleta për pushues. Deri ka fundi i vitit më së largu përfundon ky plan, mandej prezantohet te banorët ku edhe banorët marrin pjesë në de bat publik nëse kanë me shtu diçka e mandej në bazë të atij plani ne i realizojmë edhe projektet. Ky projekt do të financohet nga Ministria”, tha Sahiti në një përgjigje përmes telefonit.

Një stazë për ecje, çiklizëm, vrapim, vendi i paraparë për kamping, parku i pishave, rivitalizimi i parkut egzistues, përshtatja e ligjit për shfrytëzimin e kësaj pjese pasi me ligj është i mbrojtur si zonë që nuk lejohet për shfrytëzim, e shumë kërkesa ka kjo zonë që mahnit me pamjen pitoreske.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat