KMDLNJ kërkon hetime për vdekjen e të paraburgosurit në Pejë

Kosova

KMDLNJ kërkon hetime për vdekjen e të paraburgosurit në Pejë

Më: 28 gusht 2019 Në ora: 12:32
Ilustrim

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Njerëzore (KMDLNJ) ka reaguar pas rastit tragjik në Qendrën e Paraburgimit në Pejë, ku është gjetur pa shenja jete i paraburgosuri B. Gj.

Sipas informatave të KMDLNj –së, më datë 28 gusht 2019 në ora 7.15 në Qendrën e Paraburgimit në Pejë është gjetur pa shenja jete i paraburgosuri B.Gj. i lindur me 26.02.1967 në Klinë, i cili në këtë qendër ka ardhur më 14.06. 2019 me ç’rast i është hapur dosja mjekësore.

Pas ardhjes në QP në Pejë, ai nuk ka kërkuar asnjëherë ndihmën e mjekut sikur që nuk ka përdorur asnjë lloj terapie. Në momentin e pranimit i maten të gjithë parametrat vitalë, të cilat dalin të jenë brenda normave. Gjatë anamnezës i paraburgosuri, tash i ndjeri B.Gj. nuk jep të dhëna të ketë qenë i hospitalizuar më herët apo se është operuar.

KMDLNJ kërkon hetime lidhur rastin për të zbuluar nëse ka arsye tjera rrethanore që kanë ndikuar në vetëvrasjen e të paraburgosurit.

Sipas raporteve të KMDLNj-së, i paraburgosuri nuk ka treguar asnjë indikacion se ka prirje për vetëvrasje andaj në rastin konkret nuk janë zbatuar masat e kontrollit, kujdesit dhe mbikëqyrjes së shtuar siç veprohet në rastet e tilla.

Pasi i paraburgosuri B.Gj. ka qenë në pritje të ekstradimit në SHBA, i dyshuar për një vrasje në Miçigen, ndoshta ky ekstradim mund edhe të jetë arsye që i paraburgosuri të vetëvritet dhe për këtë arsye kërkon hetim të shpejtë dhe caktim të përgjegjësisë eventuale nëse për këtë sigurohen prova, thekson KMDLNJ.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat