Mbahet mini maratona për shkollimin e fëmijëve të komuniteteve

Kosova

Mbahet mini maratona për shkollimin e fëmijëve të komuniteteve

Më: 31 gusht 2019 Në ora: 12:55
Mbahet mini maratona për shkollimin e fëmijëve të komuniteteve

Me moton “Vrapojmë për Dije”, është mbajtur sot mini maratona humanitare për të ndihmuar shkollimin e fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Të gjitha ata që kanë marrë pjesë në këtë mini maratonë është dashur që të blejnë një numër i cili ka kushtuar 5 euro, ku pastaj të gjitha mjetet e mbledhura do të shkojnë në qendrat mësimore për mësim shtesë, të menaxhuara nga organizata “Zëri i romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve”.

Mini maratona është organizuar nga organizata “Zëri i romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve”, me mbështetjen e “Federatës së Atletikës së Kosovës” dhe Komunën e Prishtinës.

Orhan Butiq nga organizata “Zëri i romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve”, tha se ideja e këtij organizimi ka qenë që të mbledhjen mjete financiare për të ndihmuar fëmijët që të vazhdojnë shkollimin e tyre.

Butiq: Kemi tentuar të mbledhim disa gjëra që të ndihmojmë nxënësit

“Bashkë me Federatën e Atletikës së Kosovës e kemi organizuar një mini maratonë, e cila e ka një qëllim humanitare për nxënësit e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian. E dimë që për një ditë po na fillon viti i ri shkollor dhe kemi tentuar të mbledhim disa gjëra që të ndihmojmë të tejkalojnë nxënësit vështirësitë që i kanë me arsimimin e tyre”, tha ai.

Ai tha se komunitetet kanë vështirësi shumë të mëdha me arsimimin, prandaj sipas tij është e rëndësishme që të mbahen aktivitete të tilla edhe për ngritjen e vetëdijes për rëndësinë që këta fëmijë të shkollohen.

Butiq: Komunitetet kanë vështirësi shumë të mëdha me arsimim

“Si i keni parë edhe motoja e kësaj mini maratone është vrapojmë për dije dhe ka një temë shumë të rëndësishme, se për momentin e dimë se komunitetet kanë vështirësi shumë të mëdha me arsimim dhe pjesëmarrje të tyre. Sipas statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës nuk dalin mirë, ne shkollën fillore është diku afër 75 përqind që është statistike shqetësuese dhe në shkollë të mesme kemi vetëm 30 përqind. Për atë arsye kemi ardhur deri tek ideja që të organizojmë këtë mini maratonë, të paktën të ngritim edhe vetëdijesimin e qytetarëve dhe banorëve të Kosovës  dhe institucionet të merren më seriozisht me këtë çështje. Po mendojmë që ideja ka arritur deri tek ata që duhet të dëgjojnë për situatën dhe po mendojmë me këtë aktivitet do të arrijmë qëllimet tona”, tha ai.

Në mbështetje të kësaj mini maratone kishte dal edhe ish deputeti i Nismës Socialdemokrate, Veton Berisha, i cili tha se aktivitete të tilla janë të rëndësishme për të ndihmuar fëmijët e komuniteteve që të vazhdojnë shkollimin.

Berisha: Fëmijët të shkollohen që të mos jenë barrë e shtetit, por të jenë kontribuues

“Kjo mini maratonë ka rëndësi të veçantë për shkak se vetë komunitetet janë organizuar dhe përmes kësaj simbolike të mini maratonës po tregojnë se komunitetet kanë nevojë për mbështetje në kuptimin e ngritjes së nivelit të edukimit të tyre. Kjo është kënaqësi për neve që vet komuniteti, vet organizatat, vet partitë politike e ka kuptuar që çelës i zhvillimit tonë si komunitete është shkollimi. Andaj kjo është një mesazh jashtëzakonisht i rëndësishëm për neve, e kam pritur jashtëzakonisht mirë dhe jam duke e përkrahur personalisht. Në të njëjtën kohë iu bëjë thirrje të gjithë prindërve me e ngrit vetëdijen e tyre dhe me kontribuua që fëmijët e tyre me e vijua procesin mësimor, gjithashtu i ftoj të gjitha institucionet edukative shkollore që me e bë të pamundurën që fëmijët me i mbajt në shkollë, po ashtu MAShT me bë programe stimuluese që fëmijët tanë me kanë në shkollë në mënyrë që ne mos me kanë barrë për shtetin, por me qenë kontribuues për shtetin”, tha ai.

Në mini maratonën me moton “Vrapojmë për Dije”, ka marrë pjesë edhe ish deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci, e cila tha se do të jetë gjithmonë aty kur bëhet fjalë për të ndihmuar shkollimin e të rinjve.

Bogujevci: Me ndihmua shkollimin e fëmijëve dhe të rinjve

“Për vet faktin që flitet për dije edhe me kontribuua për të rinjtë e vendit pa marrë parasysh prej cilit komunitet vijë është shumë me rëndësi. Çka do që mundemi me bë, me ndihmua shkollimin e fëmijëve dhe të rinjve gjithherë do të jem aty”, tha ajo.

Mini maratona është zhvilluar nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe ka mbaruar tek shkolla e mesme e lartë e mjekësisë “Ali Sokoli”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat