Policia jep detaje të reja për grabitjen e Raiffeisen Bank në Shtime

Kosova

Policia jep detaje të reja për grabitjen e Raiffeisen Bank në Shtime

Më: 2 shtator 2019 Në ora: 19:46
Pamje nga vendi i ngjarjes

Banka Raiffeisen në Shtime ka qenë cak i një grabitjeje me armë të hënën në mëngjes. Katër personat e armatosur rëndë, pas kërcënimit ndaj punëtorëve të kësaj banke, kanë marrë disa qindra euro.

Pas grabitjes, ata kanë shtënë disa herë në ajër, duke kërcënuar kështu edhe qytetarët e rastit. Arsim Rama, i cili nga afër ka parë gjithë rastin, për “Kohavisionin” ka treguar tmerrin e përjetuar.

Gjatë ndjekjes nga Policia e Kosovës, ata kanë gjuajtur me armë edhe në drejtim të zyrtarëve policorë. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, ka thënë se janë duke punuar për identifikimin e të dyshuarve.

Gashi ka treguar se në malet e Jezercit kanë gjetur të djegur veturën, me të cilën dyshohet se është kryer vepra.

Lidhur me rastin, përmes një njoftimi, ka reaguar edhe Banka Raiffeisen.

“Sot, rreth orës 8:15 në mëngjes, katër persona të armatosur kanë hyrë në nëndegën e Bankës Raiffeisen në Shtime, me qëllim të plaçkitjes. Personat e armatosur kanë

ushtruar edhe dhunë ndaj punëtorëve të bankës, dhe tre nga ta kanë pësuar lëndime, por konfirmohet se pas trajtimit mjekësor, tani janë mirë. Aktualisht, policia është duke zhvilluar hetime në lidhje me këtë rast”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e bankës.

Një grabitje e ngjashme muaj më parë kishte ndodhur edhe në Istog. Nga sulmi në një bankë në këtë komunë, mbetën të vdekur një polic dhe i dyshuari kryesor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat