Farmacistët mirëpresin unifikimin e çmimeve të barnave

Kosova

Farmacistët mirëpresin unifikimin e çmimeve të barnave

Më: 6 shtator 2019 Në ora: 17:45
Foto ilustrim

Laramania e çmimeve të barnave nëpër barnatoret e Kosovës, sipas farmacistëve, ka ndikuar që qytetarët të mos kërkojnë cilësi në shërbim të blerjes së barnave, por çmime më të lira.

Në mungesë të rregullimit të çmimeve në treg, qytetarët kanë paguar çmime të ndryshme për të njëjtin ilaç, pasi që çmimet i kanë përcaktuar vetë farmacistët nëpër barnatore.

Me qëllim të rregullimit të kësaj çështjeje, ministri në largim i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Uran Ismaili, kishte nxjerrë një udhëzim administrativ në muajin mars të këtij viti, me të cilin synohej që çështja e çmimeve të barnave të rregullohet me ligj. Por, unifikimi i çmimeve do të nisë së zbatuari në janar të vitit 2020.

Farmacisti Visar Ademi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se me unifikimin e çmimeve të barnave, “farmacistit do t’i kthehet dinjiteti i profesionistit”, pasi qytetarët, sipas tij, nuk do të kërkojnë më çmime më të lira në barnatore, por farmacist profesionist për këshillat që i duhen lidhur me barnat.

“Implementimi i udhëzimit do të fillojë më 1 janar të vitit 2020, pasi prej 1 deri më 30 shtator farmacistët do t’i deklarojnë çmimet. Më pas, komisioni i caktuar nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, nga muaji tetor do të bëjë përcaktimin e çmimeve. Qytetarët prej janarit e tutje do ta ndiejnë rezultatin e këtij udhëzimi”.

“Komisioni do ta caktojë çmimin, pavarësisht sa e përcakton farmacisti që ka autorizim marketingu. Ai mund ta japë çmimin e një ilaçi 50 euro, por komisioni do të vendosë p.sh. që ai ilaç i caktuar e ka çmimin real 2 euro dhe ashtu do të jetë çmimi në treg”, sqaron Ademi.

Deri më tani, thekson Ademi, ka qenë një lloj tregu i lirë dhe secila barnatore e ka përcaktuar çmimin e barnave sipas dëshirës.

“Qytetari më nuk do ta vlerësojë çmimin, por shërbimin. Gjithë farmacistët janë duke e pritur këtë zbatim, pasi që farmacisti do të ketë dinjitet dhe qytetari nuk do të kërkojë më çmim më të lirë, por këshillat e farmacistëve”, thekson Ademi.

Edhe vetë anëtarë të Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës, deklarojnë se laramania e çmimeve e ka destabilizuar tregun farmaceutik, andaj sipas tyre, kjo çështje duhet rregulluar sa më shpejt.

Florina Berish, udhëheqëse e kësaj shoqate, thotë se të mirat e udhëzimit administrativ janë se do të stabilizohet tregu farmaceutik dhe qytetarët do të blejnë barna me çmime të njëjta.

“Do të përcaktohet niveli i çmimit që do të shitet prej distributorit. Fillimisht, do të jetë i përcaktuar fitimi i barnatores si dhe një shërbim farmaceutik. Këtij nivelizimi i nënshtrohen produktet që janë subjekt i përshkrimit të recetës së mjekut."

"Me hyrjen në fuqi të udhëzimit, pacientët do ta gjejnë produktin e njëjtë në barnatore të ndryshme me çmimin e njëjtë. Ne, si shoqatë farmaceutike, mendojmë që më e rëndësishmja është që të jepet shërbimi farmaceutik, ashtu siç duhet dhe të përshkruhet mënyra e përdorimit të ilaçit, efektet anësore”, thotë Berisha.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka qenë ajo që ka ofruar ndihmë në zhvillimin e politikave sa i përket udhëzimit që unifikon çmimet e barnave, në mënyrë që të reduktohen shpenzimet e pacientëve për blerjen e barnave.

Ka dy dekada që kur vlerësohet se barnat nëpër barnatoret e Kosovës, nuk i kanë çmimet e unifikuara. Kjo, sipas zyrtarëve, ka ndodhur për shkak se në fuqi ka qenë një rregullore administrative, e cila nuk e ka parashikuar edhe çështjen e unifikimit të çmimeve./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat