Dënohet me 200 euro gjobë i akuzuari për vjedhje pylli - Bota Sot
Dënohet me 200 euro gjobë i akuzuari për vjedhje pylli

Kosova

Dënohet me 200 euro gjobë i akuzuari për vjedhje pylli

Më: 9 shtator 2019 Në ora: 14:19
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, të hënën, e ka dënuar me 200 euro gjobë të akuzuarin për vjedhje pylli, Egzon Isufi.

Përveç dënimit me gjobë, i akuzuari është obliguar që t’i kompensojë dëmin e shkaktuar të dëmtuarit, në shumë prej 105 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, ai është ngarkuar me paushallin gjyqësor në shumë prej 30 euro, dhe taksën për kompensimin e viktimave të krimit në shumë prej 30 euro.

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi i rastit, Shefqet Baleci, në seancën fillestare, pasi  paraprakisht i akuzuari Isufi, e ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë.

Pranimi i fajësisë nuk është kundërshtuar nga prokurori Dren Paca, i cili ka propozuar që ky akt të merret si rrethanë lehtësuese me rastin e matjes se lartësisë se dënimit.

Me rastin e shqiptimit të dënimit, gjykatësi Baleci, ka thënë se ka marr parasysh rrethanat lehtësuese si pranimi i fajësisë, pendimi, kërkim falja, gjendja e dobët ekonomike dhe premtimi se në të ardhmen nuk do te kryej vepër penale.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Egzon Isufi, të cilin e ngarkon me veprën penale “Vjedhje pylli”, nga neni 358 parag.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se më 11 korrik 2019, rreth orës 12:00, në Komunën e Drenasit, në fshatin Shtuticë, në pyllin i cili është pronë e Veton Ademit, me qëllim të vjedhjes, i pandehuri Isufi, ka prerë dru pa leje.

Sipas aktakuzës, ai ka prerë 13 copë dru, me vëllim të përgjithshëm prej 3.0 m³, me ç`rast të dëmtuarit Ademi, i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 105 euro. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...