Ligji i pagave, punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë ‘terr për Kosovën’

Kosova

Ligji i pagave, punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë ‘terr për Kosovën’

Më: 12 shtator 2019 Në ora: 13:55

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës edhe sot përmes protestave kanë kundërshtuar përfshirjen e tyre në ligjin e pagave. Duke e konsideruar këtë ligj si diskriminues, ata paralajmëruan protesta radikale në rast se nuk largohet nga ky ligj.

Përmes kësaj proteste, e cila u mbajt para Termocentralit Kosova A, ata kanë kërkuar edhe rivitalizimin e këtij termocentrali.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës, Selatin Sadiku tha se bazuar në informacioneve që kanë përmes Ligjit të Pagave, pagat e punëtorëve të KEK-ut do të ulen mbi 50 për qind.

Ai ka paralajmëruar greva të përgjithshme nëse vazhdojnë të jetë tutje pjesë e Ligjit të Pagave.

Madje ka folur edhe për rivitalizimin e Termocentralit Kosova A për çka the se me një investim të vogël nga Qeveria e Kosovës do mund të bëhet funksional, pa ndikuar në çmimin e energjisë elektrike.

Sadiku: Me përfshirjen e punëtorëve të KEK-ut në Ligjin e Pagave, ulen pagat mbi 50%

“Bazuar në të dhënat që i ka Sindikata e Re e KEK-ut, shihet që pagat aktuale të punëtorëve të KEK-ut pësojnë zbritje në përqindje dhe varësisht atë nga pozita e punës duke filluar nga 21 për qind deri në 52 për qind. I kemi thënë me kohë përmes protestave tona, se përfshirja e punëtorëve të KEK-ut është shkelje e Ligjit të Punës së Kosovës , ku ceket qartë se punëtorët nuk i ulet paga dhe një tendencë e tillë është diskriminuese kur të njëjtën kohë të gjithë punëtorëve në Republikë të Kosovës iu ngritet pagat. Çështja e koeficientit me fakultet 5, ndërsa sipas të dhënave që i kemi ne, koeficientin ne e kemi 3. SR “KEK” në rast të tendencave të tendencave të vazhdueshme për ulje të pagave të punëtorëve do t’i ftojmë të gjithë që kontrata me ulje të pagave asnjë punëtor i KEK-ut të mos i nënshkruajë”, tha ai.

Ndërsa, nënkryetari i Shoqatës Sindikale të Termocentralit Kosova A, Haxhi Kastrati  tha se ndonëse Kosova A është e stërvjetruar,  ajo po prodhon mbi 300 megavat orë energji elektrike për Kosovën.

Sipas tij punëtorët e KEK-ut nuk mund të krahasohen me shërbyesit civilë dhe po ashtu nuk mund të kenë paga të njëjta, pasi që dallojnë kushtet me të cilat ata punojnë.

Kastrati: Nuk po kërkojmë lëmosh, por atë na e japim përmes djersës sonë

 “Vetëm nga 1 janari deri më 1 gusht, 6-mujori i vitit 2019, termocentrali Kosova A ka tejkaluar planin e prodhimit mbi 13.8 për qind. Kjo është për admirim e nuk po kërkojmë lëmosh, por po kërkojmë ato që na po japim me djersën tonë,  për atë arsye nuk është dashur të jetë diskutuese as pagat jubilare, as ligji i pagave që po na kanoset neve në këto momente, por i drejtohemi edhe njëherë nuk duhet të jetë ligji i pagave në KEK , kurse sepse nuk jemi të barabartë  me shërbyesit civilë duke u bazuar në kushte dhe prodhimin tonë aktual”, tha ai.

Kundër përfshirjes së punëtorëve të KEK-ut në Ligjin e Pagave u shpreh edhe nënkryetari i Sindikatës së RE të KEK-ut, Nexhat Llumnica i cili e ka quajtur të pakuptim përfshirjen e punëtorëve të KEK-ut në këtë ligj, duke paralajmëruar njëherësh se nuk do ta pranojnë si të tillë.

Sipas tij, nëse kërkesa e tyre nuk merret parasysh, Kosova do të mbesë në terr.

Llumnica: Nuk ka kuptim që punëtorët e KEK të bazohen me shërbyesit civil

“Nuk ka kuptim punëtorët e Korporatës Energjike të Kosovës të barazohen me shërbyesit civil apo administratë publike. Punëtorët e KEK-ut janë punëtorë të minierave dhe termocentraleve që shumë pak prej tyre e shijojnë pensionin nga sëmundjet profesionale që i marrin në vendet e punës...Nuk e di se kush e ka menduar këtë punë, por nuk ka asnjë ndërmarrje publike e private në shtetet e rajonit dhe botës që hyjnë në Ligjin e Pagave nga një qeveri e vendit, sepse ne prodhojmë energjinë elektrike dhe kemi buxhetin tonë të mjaftueshëm, falë djersës të punëtorëve e kemi këtë fond” , u shpreh ai.

Kujtojmë që kundër përfshirjes së punëtorëve të KEK-ut në Ligjin e Pagave vetë punëtorët patën protestuar edhe disa herë të tjera. Madje ata përmes Sindikatës së Re të KEK-ut u patën dërguar edhe letra institucioneve përgjegjëse përmes të cilave kanë kërkuar sqarime rreth përfshirjes së tyre në këtë ligj i cili pritet të hyjë në fuqi në dhjetor, ndërsa u votua në fillim të këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat