Vihet gurthemeli i shkollës fillore në Lumbardh të Deçanit

Kosova

Vihet gurthemeli i shkollës fillore në Lumbardh të Deçanit

Më: 13 shtator 2019 Në ora: 12:48
Vihet gurthemeli i shkollës fillore në Lumbardh të Deçanit

Me qëllim të ofrimit të një infrastrukture të standardeve të larta arsimore në Lumbardh të komunës së Deçanit, është vënë gurthemelit i ndërtimit të shkollës fillore "Lan Selimi".

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi tha se përmes ndërtimit të kësaj shkolle po ofrohet ambient më i përshtatshëm për mësim.

Ai kërkoi nga mësimdhënësit që të angazhohen më shumë në ngritjen e cilësisë së arsimit me qëllim që të rinjtë të përgatiten për të ardhmen e vendit.

Bytyqi: Kërkojmë angazhim nga mësimdhënësit për ngritje të cilësisë

"Ne po e kompletojmë një infrastrukturë të mirë edhe në këtë fshat dhe jam i sigurt që po ndërtohet një ambient me standardet që edukimi dhe arsimimi i këtyre fëmijëve të jetë i barabartë me gjithë të tjerët në Kosovë, por na mbetet edhe neve në nivelin qendror dhe mësimdhënësve, në veçanti që të kemi një angazhim dhe një përkushtim që përveç krijimit të kushteve të mira të infrastrukturës ta ngirisim cilësinë në arsim dhe t'i përgatisim të rinjtë tanë për të ardhmen e vendit tonë", deklaroi Bytyqi.

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj deklaroi se me vënien e gurthemelit të kësaj shkollë në Lumbardh, po përmbyllet cikli i investimeve në sistemin arsimor në Deçan.

Sipas tij, tani mbetet që të investohet më shumë në cilësi dhe sigurinë e shkollave.

Ramosaj: Me këtë shkollë po e përmbyllin ciklin e investimeve në arsim

"Këto dy vitet e fundit nga qeveria Haradinaj me i plotësua një pjesë të nevojave në sektorin e arsimit kemi filluar me ndërtimin e gjashtë shkollave të reja dhe në bashkëpunim në mes komunës së Deçanit dhe ministrive të tjera kemi rinovuar me efiçiencë edhe tetë shkolla, kështu që në Deçan cikli i infrastrukturës në arsim po përmbyllet dal nga dal... Na mbetet neve me investuar në cilësi, me investuar më shumë në siguri dhe në komoditet përreth shkollave tona", tha Ramosaj.

Ish-deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu e cila ishte nxënëse dhe mësimdhënëse në këtë shkollë, kërkoi që investimet të jenë me standarde të larta.

Si kandidate për deputete e Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e shtatë, ajo kërkoi që Lumbardhi të jetë i bashkuar drejtë fitores.

Haxhiu: Kërkoj të ndërtojmë një shkollë që nuk do të ankohemi pas disa viteve

"Sot më në fund po bëhet një realitet, vënia e gurthemelit, po kam ndjenja të përziera, janë emocione....insistimi jonë i vazhdueshëm ka bërë që sot të jemi këtu me sinqeritetin më të madh, e lus kompaninë ndërtuese që ta bëjmë një shkollë që mos të ankohemi pas disa viteve, do jem kujdestar i kësaj shkolle", u shpreh Haxhiu.

Vënien e gurthemelit të kësaj shkollë e ka mirëpritur i pari i saj, Smajl Lekaj, i cili tha se pa ndërtimin e kësaj shkolle nuk do të mund të ketë mësim të nivelit të duhur.

Lekaj: Pa këtë shkollë s’ka mësimi në nivelin e duhur

"Për ne dhe komitetin që na rrethon është një ditë e veçantë dhe e shumë pritur sepse pa vendimin dhe pa gurthemelin e ndërtimit të kësaj shkolle ne nuk kemi jetëgjatësi dhe nuk do të mund të zhvillohet mësimi në nivelin e duhur", tha ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat