Viti 2019 – Shkolla në fshatin Bajqinë të Podujevës në gjendje të mjerueshme

Kosova

Viti 2019 – Shkolla në fshatin Bajqinë të Podujevës në gjendje të mjerueshme

Më: 13 shtator 2019 Në ora: 23:42
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kjo është gjendja e shkollës në të cilin po e ndjekin mësimin nxënësit e fshatit Bajqinë të Podujevës.

Drejtuesit e shkollës thonë se po punojnë në kushte të mjerueshme dhe se në të nuk është investuar asgjë që nga viti 2000, raporton KTV.

Në objektin e vjetër, mësimin e vijojnë 292 nxënës të 12 paraleleve shkollore, përfshirë edhe atë të paraleles për nxënësit parashkollorë.

Për drejtorin Bashkim Lepaja, gjendja e shkollës nuk është aspak e mirë, pikërisht si pasojë e inventarit të vjetër, derisa edhe gjendja e përgjithshme e objektit nuk i plotëson kushtet.

Nxënësit e shkollës “Emin Duraku’’ është dashur që këtë vit, të mësonin në objektin e ri që ka nisur të ndërtohet pak metra larg asaj të vjetrës.

Por, Lepaja thotë se kompania kontraktuese është vonuar në finalizimin e objektit.

Shkolla e re është investim i Ministrisë së Arsimit, ndërsa opozita në komunën e Podujevës thonë se niveli lokal ka bërë shumë pak për arsimin.

Sipas asamblistit nga radhët e Vetëvendosjes, Fitim Haziri, në gjendje të njëjtë si shkolla në Bajqinë, janë edhe shkollat e tjera përreth, si pasojë e injorimit nga pushteti.

Kompania ndërtimore ArbëriaCom, e kontaktuar nga televizioni, lidhur me vonesat në punime, ka thënë se në kontratë parashihet që objekti të përfundojë në dhjetor.

Mirëpo, sipas tyre, puna pritet të përfundojë një muaj më herët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat