Ish-asamblisti në Malishevë dënohet me burgim me kusht dhe me gjobë

Kosova

Ish-asamblisti në Malishevë dënohet me burgim me kusht dhe me gjobë

Më: 18 shtator 2019 Në ora: 15:54
Seanca

Ish-asamblisti në Komunën e Malishevës, Valon Hoti, i akuzuar për mos deklarim të pasurisë, të mërkurën, është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, si dhe 400 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Mirëpo, dënimi me burg ndaj tij nuk do të ekzekutohet, nëse ai brenda periudhës verifikuese prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Hoti, po ashtu, obligohet që të paguajë edhe paushallin gjyqësor prej 30 eurosh, si dhe 20 euro për kompensimin e viktimave.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit është shpallur nga gjykatësi i rastit Njazi Morina, pasi ai paraprakisht kishte pranuar fajësinë për veprën penale.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 13 shtator 2019, ish-asamblisti Hoti e kishte pranuar fajësinë, duke shtuar se ky nuk ishte veprim i qëllimshëm, pasi që nuk kishte pasur kohë për ta deklaruar në afat pasurinë.

Pranimi i fajësisë nga i akuzuari, nuk është kundërshtuar nga prokurori Armend Zenelaj, duke shtuar se i akuzuari e ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajit dhe se ky pranim gjen mbështetje në provat dhe faktet që i përmban aktakuza.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shkurt 2018, Valon Hoti akuzohet se nga 1 marsi 2017 e deri më 31mars 2017, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, respektivisht këshilltar në Asamblenë Komunale në Malishevë, edhe pse ka qenë i detyruar ta bëjë deklarimin e pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale apo detyrimeve financiare, nuk e ka deklaruar pasurinë për periudhën e vitit 2016, edhe pse këtë është dashur ta bëjë deri më 31 mars 2017.

Sipas aktakuzës, këtë e ka bërë edhe përkundër asaj që i akuzuari ka qenë i njoftuar-paralajmëruar nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Në aktakuzë thuhet se me këto veprime, i akuzuari Valon Hoti ka kryer veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437, paragrafi 1 të KPRK-së. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat