Ismaili: Në listën e re të barnave esenciale janë përfshirë mbi 100 ilaçe të reja

Kosova

Ismaili: Në listën e re të barnave esenciale janë përfshirë mbi 100 ilaçe të reja

Më: 20 shtator 2019 Në ora: 22:05
Foto ilustrim

Sot është bërë nënshkrimi i listës së barnave esenciale nga ministri në detyrë i shëndetësisë, Uran Ismajli, e ku janë përfshirë mbi 100 barna të reja, të cilat pritet që t’i ulin problemet e pacientëve në vendin tonë. 

“Lista e re realisht e bën një hap drejt zgjidhjes së problemit për arsye se ne e kemi pasur një listë esenciale e cila ka datuar që nga viti 2012 dhe si e tillë nuk i ka plotësuar nevojat as të qytetarëve, por as të profesionistëve shëndetësor”, ka theksuar ministri në detyrë, Ismajli, në RTK.

Ministri Ismajli ka theksuar se lista e vjetër ka qenë problem i madh, ngase edhe kur profesionistët shëndetësor kanë dashur ta nënshkruajnë një bari nuk ka pasur mundësi të bëhet një gjë e tillë, sepse ai bari nuk ka qenë i listuar në listën esenciale të barnave.

“Ne e kemi rritur gamën me të cilën bëhet mbulushmëria me anë të këtyre barnave, që i bie që njerëzit me sëmundje të rralla dhe shumë të kushtueshme, e që janë të pamundura për familjet që të mbulohen shpenzimet, kjo listë e re esenciale jep zgjidhje dhe bën mbulimin e këtyre barnave falas edhe për ata fëmijë që kanë sëmundje të rënda”, ka shtuar Ismajli.

Ai ka thënë se sasia e barnave nga kjo listë përcaktohet nga nevoja e spitaleve. “Varësisht sa spitalet kanë nevojë të konsumojnë atëherë edhe bëhen planifikimet. E rëndësishme është se rritur numri për mbi 100 barna, të cilat janë të ndryshme që nga sëmundja e kancerit,  barnat kundër sëmundjeve të rralla, vaksina të ndryshme, barna vaskulare, të diabetit dhe lloj-lloj barnash që kanë qenë të nevojshme për pacientët tanë vite me radhë”, është shprehur Ismajli.

Ai ka thënë se realisht në këtë listë janë përfshirë shumica e barnave që e kryejnë trajtimin e sëmundjeve, derisa sipas tij më nuk do të ketë nevojë të pritet me vite për t’u përfshirë një bari në listën esenciale.

“Normalisht barnat e reja dalin çdo herë dhe ka çdo herë e më të kushtueshme, por e rëndësishme është se është reviduar lista dhe tani e kemi edhe një Komitet, i cili sa herë që të ketë nevojë për një bari të ri nuk do të ketë nevojë më të pritet 7 vite për t’u përfshirë në listën e barnave esenciale. Komiteti qëndron në fuqi dhe nëse paraqitet nevoja ata mund ta plotësojnë listën”, ka shtuar ministri në detyrë i shëndetësisë.

Ndërkohë, në pyetjen se pse nënshkrimi i kësaj liste esenciale nuk është bërë më herët por pikërisht tani në prag të fushatës elektorale, Ismajli ka thënë se kjo ka qenë një punë njëvjeçare.

“Ka qenë një listë që ka qenë shumë komplekse. Vetë fakti që nuk është reviduar që nga viti 2012 tregon se ka pasur pengesa, por ne i kemi larguar këto pengesa sepse na ka interesuar jeta e qytetarëve, na ka interesuar xhepi i qytetarëve dhe e kemi kryer. Zgjedhjet askush nuk e ka ditur se do të vijnë, lista ka pasur të nënshkruhet dhe është nënshkruar.  Unë konsideroj se shëndeti i pacienteve nuk duhet të varet nga jeta ose zhvillimet e politikanëve se a duan ta mbajnë fushatën apo jo. Më me rëndësi është jeta e pacientëve tanë se sa fushata politike”, ka përfunduar ministri në detyrë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat