Vëllai i Vasfije Krasniqit: Drejtësia na ka zhgënjyer - Bota Sot
Vëllai i Vasfije Krasniqit: Drejtësia na ka zhgënjyer

Kosova

Vëllai i Vasfije Krasniqit: Drejtësia na ka zhgënjyer

Më: 22 shtator 2019 Në ora: 15:38
Nafi Krasniqi

Janë 16 gra e tre burra, raste të reja të cilat janë paraqitur për herë të parë për të kërkuar drejtësi në organizatën “Drejtësi për të gjithë”. Derisa po punohet shumë ngadalë për verifikimin e statusit të tyre, dhe për të dënuar kryesit e veprës, familjarët e viktimave i njohin me emër dhe mbiemër dhe ata vazhdojnë të jenë të lirë.

Në intervistën 45/45 , drejtori  i organizatës “Drejtësi për të gjithë”, Nafi Krasniqi flet për rastin e dhunimit të motrës së tij nga serbët, derisa shpjegon se si arriti ‘ambasadorja e guximit’, Vasfije Krasniqi të flet publikisht për tmerrin e përjetuar.

Vëllai i Vasfijes, Nafiu, 20 vjet më parë ishte prezent kur nën kërcënimin e armëve, motra e tij ishte marrë nga shtëpia e saj nga një burrë me uniformë të Policisë së Serbisë, ku edhe i ishte nënshtruar torturave dhe dhunimit seksual.

Ai këmbëngul se këto krime nuk duhet të fshehën më, sepse dëshmitarë të tyre janë familjarë, bashkëshortë, prindër e fëmijë.

Krasniqi: Buqja nuk ka pasur faj për atë që i ka ndodhë

“Nuk ka qenë e rastësishme pse i ka ndodhur Buqes krimi, kur dihet se është marrë në shtëpi, është rrëmbyer prej duarve të nënës, ka qenë fëmijë, ka qenë në moshën 16 vjeçare edhe ne është dashur t’i qasemi Buqes menjëherë pas luftës. Fillimisht me kthy në jetë në kushte normale, për të bërë jetën e vet, mirëpo edhe me fillu me kërku drejtësi. Si familje krejt çfarë kemi bërë është me mbështet Buqen  që ajo të bëjë jetën normale dhe ndërkohë i kemi kërkuar falje pse i ka ndodhur krimi asaj. Sepse konsiderojmë që Buqja nuk ka pasur faj dhe ne gjithmonë jemi ndjerë keq në raport me Buqen”, thotë Krasniqi.

Krasniqi rrëfen se lufta për drejtësinë e motrës së tij kishte filluar po atë vit që ishte dhunuar padrejtësisht Vasfija.

Nafiu si vëllai më i vogël i Buqes tregon për KosovaPress, se tashmë i njohin edhe dhunuesit, por të njëjtit vazhdojnë të jenë të lirë.

Krasniqi: Drejtësia në fund na ka zhgënjyer 

“Pas luftës ne jemi zotuar se do të punojmë për drejtësi, për shkak se kemi menduar që vetëm drejtësia është ajo që do të na shëronte shpirtin tonë ose plagën tonë, që të ndjehemi më të përmbushur. Neve jemi angazhuar edhe vet që të gjejmë të dyshuarit për rastin tonë. Kur është dhunuar Buqja, nga dy të dyshuarit, ajo më tregon mua se në herën e dytë është dhunuar në një shtëpi në fshatin Babimost, dhe në vitin 2009 unë kam shkuar disa herë në atë fshat, derisa e kam gjetur dhunuesit e dytë. E kam raportuar në drejtësi, kemi bashkëpunuar me drejtësinë, mirëpo drejtësia në fund na ka zhgënjyer. ...Personi i dytë që e ka dhunuar motrën time, në atë kohë i ka pasur rreth 60 vjet, por deri në procesin gjyqësor ai ka jetuar aty, por tash nuk e dimë për shkak se ne prej momentit që e kemi raportuar rastin, gjithçka ia kemi lënë organeve të drejtësisë”, rrëfen ai.

Derisa familja Krasniqi që nga viti 99’, ka punuar për të arritur drejtësinë, të njëjtit janë zhgënjyer nga organet e drejtësisë, si nga EULEX-i, ashtu edhe nga UNMIK-u.

Pikërisht në atë kohë, Krasniqi tregon se janë fokusuar të gjejnë forma të tjera për t’iu qasur problemit.

Vasfije Krasniqi-Goodman, gjeti forcën për të rrëfyer publikisht tmerrin e përjetuar 20 vjet më parë, për të kërkuar drejtësi jo vetëm për vetën, por për të gjithë viktimat në Kosovë.

Vëllai i saj thotë se paraqitja e saj në publik e ka arritur drejtësinë sociale, megjithatë jo edhe atë juridike. Për atë, në prill të këtij viti, Nafi Krasniqi, me iniciativë të motrës së tij, ka hapur organizatën “Drejtësi për të gjithë”, e cila ka të bëjë me mbështetjen juridike të viktimave. Krasniqi tregon se sa raste janë paraqitur deri më tani.

Krasniqi: Janë 16 raste të grave, dhe tri të meshkujve

“ Janë 16 raste të femrave, tri raste të meshkujve që kanë ardh për herë të parë tek ne. A kemi qenë në dijeni që ka pasur raste të tilla? Unë vetëm mund të them se ajo çfarë ka ndodhur me atë njerëz është diçka jashtëzakonisht e tmerrshme. Vetëm kanë forcë të jashtëzakonshme brenda ata njerëz që munden me e përballu edhe me vazhdu jetën. Për shkak se ata janë ballafaquar me diçka”, thotë Krasniqi.

Derisa viktimat në vazhdimësi ndër vite kanë pasur pakënaqësi për trajtimin që u është bërë, Krasniqi thotë se çështja e krimeve të luftës në përgjithësi duhet të trajtohet në bisedimet me Serbinë.

Ai konsideron se viktimat e dhunës e kanë të drejtë themelore aplikimin në Komisionin për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, për njohjen e dhimbjes së tyre.

Krasniqi: Ne kemi marrë mesazhe të ndryshme nga njerëzit (Video)

“ E vërtetë është se ka pakënaqësi shumë  të mëdha, ne kemi marrë mesazhe të ndryshme që njerëzit na drejtohen, pse kështu, e pse ashtu, që na qesin para aktit të kryer. Është e vërtetë që është shumë e rëndë për njerëzit me u ballafaqu sikur të ishin para një gjykate në atë komision, mirëpo komisioni është kredibil, a ka hapësirë me punu më shumë, ka shumë hapësirë edhe patjetër që duhet me u punu më shumë në mënyrë që të ecet më shpejtë. Numri i përfituesve deri më tani është mbi 470 persona, janë përafërsisht 1100 aplikues që deri tani kanë aplikuar. Trajtimi i atyre lëndëve kërkon një konsensus të komisionit, që nuk ka mundësi me qenë gjithmonë i gatshëm”, shton ai.

Ai u bën thirrje të gjithë familjarëve që në rend të parë mos të stigmatizojnë vetën e pastaj edhe familjarin, i cili pafajësisht ka përjetuar dhunën seksuale.

Sipas tij, pa mbështetjen familjare nuk mund të ecet tutje për drejtësi juridike. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...