Veseli në Lipjan: Koalicioni Mustafa-Kurti thellon korrupsionin dhe sjell izolim

Kosova

Veseli në Lipjan: Koalicioni Mustafa-Kurti thellon korrupsionin dhe sjell izolim

Më: 29 shtator 2019 Në ora: 17:28
PDK në Lipjan

Zgjedhjet e 6 tetorit janë referendum për të ardhmen e vendit, ku qytetarët do të vendosin se a do të ketë një qeverisje bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo do të ketë një koalicion i cili sjell izolim.

Kështu ka deklaruar kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës Kadri Veseli, i cili në Lipjan tha se një koalicion mes LDK-së dhe Vetëvendosjes do të sillte më shumë izolim, do të thellonte varfërinë dhe korrupsionin.

Veseli tha se qytetarët duhet të bëhen bashkë për një fitore të PDK-së, pasi sipas tij, vetëm kështu sigurohet se vendi do të ec përpara.

Veseli: Zgjedhjet e 6 tetorit janë referendum për të ardhmen e vendit

“Zgjedhjet e 6 tetorit do të jenë zgjedhje të cilat do të jenë kritike, të cilat do të jenë referendum për të ardhmen e vendit tonë, se cilin drejtim do ta merr Kosova jonë, a do të kemi një qeverisje e cila do të jetë së bashku me ShBA-të, një qeverisje e cila do të jetë kundër korrupsionit dhe nepotizmit, një qeverisje e cila do të jetë për ekonomi të lirë të prodhimit dhe për rininë apo do të kemi një koalicion i cili nuk sjell shpresë, i cili sjell izolim, i cili e thellon edhe më shumë varfërinë dhe korrupsionin dhe ajo është Mustafa-Kurti. Ne duhet të gjithë bashkërisht të bëhemi bashkë që mos ta lëmë që Kosova jonë të ec prapa, ne të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jemi bashkë të punojmë për vizionin tonë euroatlantik. Me ShBA-të luftohet më lehtë korrupsioni dhe nepotizmi, me ShBA-të fuqizohet më lehtë ekonomia e Kosovës, ndërmarrësit dhe investitorët, me ShBA-të ne integrohemi m ë shpejt në NATO dhe BE”, tha ai.

Veseli në Lipjan tha se në qeverisjen e tij do të përkrahin në mënyrë të veçantë të rinjtë, fermerët, ndërmarrësit dhe punëtorët shëndetësor.

Veseli: Do t’i përkrahi luftëtarët e lirisë

“Platforma ime kundër korrupsionit dhe nepotizmit është platformë e cila është e përbashkët me platformën të cilën e ka ShBA-të me presidentin Trump në luftën globale kundër korrupsionit. Do të përkrahi të gjitha kategoritë të cilat janë për t’u përkrahur përveç rinisë dhe investitorëve tanë, ndërmarrësve që e zhvillojnë Kosovën. Do të përkrahi familjet e dëshmorëve, do të përkrahi luftëtarët e lirisë, do të përkrahi edhe më fuqishëm pensionistët, do të legalizohen 350 mijë ndërtime që aktualisht janë të pa legalizuara, të cilat janë kapital financiar i qytetarëve tanë, janë 8 deri në 10 miliardë euro, do të legalizohen për 2 vite në maksimum, ato do të jenë para të këmbyera në zhvillimin e perspektivës tonë familjare dhe kombëtare”, tha ai.

Veseli tha se nuk duhet të vetëkënaqen, por që duhet të bëhen edhe më shumë bashkë që ta ruajnë Kosovën që pas 6 tetorit të jetë bashkë me ShBA-në.

Ai edhe në Lipjan u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen për një Kosovë më të fortë, pasi sipas tij, sa më e fortë është Kosova aq më e dobët është Serbia.

Ndërkaq, kryetari i degës së PDK-së në Lipjan, Hyzer Rizani, u shpreh se të gjithë qytetarët në Kosovë po përkrahin dhe po e besojnë Partinë Demokratike të Kosovës, pasi sipas tij, ata kanë besim në kandidatin e tyre për kryeministër Kadri Veseli.

Rizani: Njerëzit kanë besim tek ideatori i Dekadës së Re

“Prania e këtyre të moshuarve që janë prezent tregon se këta kanë besim tek djemtë, vajzat, nipat dhe tek mbesat. Kanë besim tek Dekada e Re, kanë besim tek ideatori i Dekadës së Re, tek kryeministri i Republikës së Kosovës z.Kadri Veseli”, tha ai.

Kandidatët për deputet nga Lipjani në listën e PDK-së janë Egzona Bytyqi, Selvije Halimi, Ramë Buja dhe Fitim Selimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat