Pjesëmarrësit e Kursit të Lartë për Mbrojtje dhe Siguri të Shqipërisë vizitojnë Ministrinë e Mbrojtjes

Kosova

Pjesëmarrësit e Kursit të Lartë për Mbrojtje dhe Siguri të Shqipërisë vizitojnë Ministrinë e Mbrojtjes

Më: 3 tetor 2019 Në ora: 14:31
Pjesëmarrësit e Kursit të Lartë për Mbrojtje dhe Siguri të Shqipërisë vizitojnë Ministrinë e Mbrojtjes

Një delegacion i pjesëmarrësve vijues të kursit dhe stafi akademik i Kursit të Lartë për Mbrojtje dhe Siguri i Akademisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë, i kryesuar nga zëvendëskomandanti i akademisë, njëherësh përgjegjës i kursit, kolonel Edmond Vraneshi, ka vizituar sot Ministrinë e Mbrojtjes.

Delegacioni nga Shqipëria u prit nga drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euro-Atlantike, kolonel Agron Bajrami, i cili në emër të drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes përshëndeti mysafirët dhe vlerësoi lart vizitën e kursantëve nga Shqipëria, Greqia, Britania e Madhe, Gjeorgjia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Italia. 

Kolonel Haki Hoti, drejtor i Departamentit për Transformim, Modernizim dhe Standardizim, bëri një prezantim lidhur me historikun e ngritjes, zhvillimit dhe tranzicionit të Forcës së Sigurisë të Kosovës, duke filluar nga Rishikimi i Strategjisë së Sektorit të Sigurisë së Kosovës, miratimi i ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në dhe tani për Procesin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të Forcës. 

Gjithashtu, oficerët pjesëmarrës të kursit me anë të pyetjeve shprehën interesimin e tyre për tematikën e prezantuar lidhur me ngritjen dhe zhvillimin e Forcës, procesin e tranzicionit dhe planet për zhvillimin e saj në të ardhmen. 

Oficerët e lartë, pjesë e delegacionit të KLMS-së, vizituan edhe Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë si dhe Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj,  ku u njoftuan nga afër me misionin, detyrat dhe aktivitetet e tyre. 

Qëllimi mësimor i vizitës së KLMS-së ishte njohja me institucionet e sigurisë shtetërore dhe ndërkombëtare që operojnë në Kosovë, dhe se si është institucionalizuar koncepti i sigurisë bashkëpunuese në rastin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat