Nga lufta në bankat shkollore – si po u shkon mësimi 40 fëmijëve të kthyer nga Iraku e Siria

Kosova

Nga lufta në bankat shkollore – si po u shkon mësimi 40 fëmijëve të kthyer nga Iraku e Siria

Më: 3 tetor 2019 Në ora: 19:50
Foto ilustrim

Rreth 40 fëmijë shqiptarë të kthyer nga vatrat e luftës në Siri e Irak u janë rikthyer bankave shkollore. Ata janë duke ndjekur mësimet nëpër shkollat e vendit bashkë me moshatarët e tyre. Sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, shkollimi i tyre po shkon sipas planit. Deri tash, thonë se nuk kanë pranuar asnjë ankesë as nga DKA-të e as nga prindërit.

Përderisa një vit më parë dëgjonin vetëm krisma armësh e britma, fëmijët e kthyer nga Siria tash e tutje do t’i ndjekin mësimet nëpër shkollat e vendit. Pas kthimit nga vatrat e luftës, ata u janë kthyer bankave shkollore.

Aktualisht mësimet janë duke i ndjekur rreth 40 fëmijë që janë në moshë shkolle, derisa sipas institucioneve vendore, shkollimi i tyre po shkon sipas planit.

Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thonë se të gjithë fëmijët e kthyer nga Siria që janë në moshë shkolle janë duke i ndjekur mësimet.

Zyrtarja për Arsim Joformal në MASHT, Aferdita Jaha ka thënë se fëmijët nga vatrat e luftës janë integruar në shkolla së bashku me moshatarët e tyre. Deri tani, Jaha thotë se gjithçka rreth shkollimit të tyre është duke shkuar sipas planit dhe se nuk kanë pranuar ndonjë ankesë.

Lidhur me mësimdhënësit dhe stafin mbështetës që merren me arsimimin e këtyre fëmijëve, ajo thotë se Ministria e Arsimit ka organizuar trajnime.

“Fëmijët janë integruar në shkollë së bashku me moshatarët sipas legjislacionit dhe procesi është duke shkuar mire, nuk kemi as një ankesë nga Shkolla, DKA-të apo nga prindërit. Ne si MASHT kemi ofruar trajnime për mësimdhënës dhe stafin mbështetës të shkollave lidhur me mundësitë për integrim të këtyre fëmijëve”, ka thënë Jaha.

Jaha deklaron se aktualisht mësimet janë duke i ndjekur rreth 40 fëmijë që janë kthyer nga zonat e luftës.

“Nga 74 fëmijë të ardhur, 36 fëmijë janë në moshën 0 deri në 3 vjeç (nuk janë të përfshirë në kopshte, mbetet vullnet i familjeve që ti regjistrojnë ose jo), 38 fëmijë janë të përfshirë në procesin arsimor (9 në kopshte, 5 në parashkollorë dhe 24 në shkolla), mosha e tyre është nga 0 deri në 18 vjeç)”, thuhet në përgjigjet e MASHT drejtuar Express-it.

Përveç tyre, Jaha thotë se integrim në procesin mësimor do të ofrohet edhe për nxënësit mosha e të cilëve është më e madhe se mosha e paraparë me ligjin për arsimin para universitar për të qenë nxënës te rregullt.

“Në shtator kanë filluar mësimin te gjithë nxënësit e moshës shkollore. Integrim në procesin mësimor ofrohet edhe për nxënësit mosha e të cilëve është më e madhe se mosha e paraparë me ligjin për arsimin para universitar për të qenë nxënës te rregullt. MASHT në bashkëpunim me DKA do të ofroj mësim të përshpejtuar”, tregon zyrtarja e MASHT-it.

Kthimi i 110 shtetasve të Kosovës nga zonat e luftës, megjithatë kishte hapur një sfidë tjetër për shtetin e Kosovës – riintegrimin e tyre.

Koordinatori Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, Fatos Makolli, kishte deklaruar kohë më parë për media se institucionet e sigurisë janë duke kryer punën e tyre. Ai kishte veçuar si sfidë “fazën e rehabilitimit, për faktin se të kthyerit kanë kaluar periudha të vështira në zona të konfliktit, në vendet ku kanë jetuar, por edhe në kampe të ndryshme, ku ka familje që kanë qëndruar kohë të gjatë”.

“Rehabilitimi dhe riintegrimi i personave që kthehen nga zonat e konfliktit, ku kanë qëndruar për një kohë të gjatë, do të jetë i vështirë, do të ketë sfida të mëdha”, kishte deklaruar Makolli.

Ndryshe, Kosova u bë një nga vendet e para në botë që i ktheu shtetasit e saj nga zonat e konfliktit në Siri. Mesnatën e 19 prillit, 110 shqiptarë duke përfshirë 32 gra, 74 fëmijë dhe katër luftëtarë u kthyen në Kosovë.

Një ditë pas kthimit të tyre, përmes një konference për media, ish ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se operacioni për kthimin e kosovarëve ishte bërë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tahiri tha se gratë dhe fëmijët që u kthyen nga Siria kishin qenë viktima të mashtrimit.

“Këto gra meritojnë rehabilitim për një jetë të qetë dhe këta fëmijë nëpër zona të konfliktit, e kanë vendin në shkolla për t’u edukuar mbi të ardhmen e tyre”, kishte deklaruar Tahiri para gazetarëve.

Të kthyerit nga Siria u vendosën në Qendrën për të Huajt në fshatin Vranidoll që gjendet në periferi të kryeqytetit. Aty u mbajtën për 72 orë, e më pas të gjitha gratë dhe fëmijët u lejuan që të ktheheshin pranë familjarëve të tyre.

Por, para se te liroheshin, gratë u intervistuan nga hetuesit, ndërkohë që Prokuroria Speciale e Kosovës rinisi procedurat hetimore ndaj 32 grave, nën dyshimet për pjesëmarrje apo bashkim në organizata terroriste.

Ndryshe, sipas autoriteteve vendore prej fillimit të luftës, në Siri ishin rreth 400 shqiptarë nga Kosova.

Në vitin 2015, institucionet e Kosovës hartuan një ligj të posaçëm, me të cilin çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja do të dënohet deri në 15 vjet burgim.

Grupi militant Shteti Islamik, muajve të fundit humbi kontrollin mbi territorin të cilin e kontrollonte dhe shumë luftëtarë u arrestuan, ndërkohë që gratë dhe fëmijët janë duke qëndruar nëpër kampe të ndryshme pasi shtetet prej nga vijnë nuk kanë pranuar riatdhesimin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat