Edhe në Obiliq ecuria e procesit zgjedhor po kalon pa probleme - Bota Sot
Edhe në Obiliq ecuria e procesit zgjedhor po kalon pa probleme

Kosova

Edhe në Obiliq ecuria e procesit zgjedhor po kalon pa probleme

Më: 6 tetor 2019 Në ora: 17:34
Foto ilustrim

Rreth 35 për qind e qytetarëve të komunës së Obiliqit, kanë votuar deri më tani në qendrat e tyre votuese.

Afrim Krasniqi, zyrtar i lartë i zgjedhjeve në komunën e Obiliqit thotë për KosovaPress se janë 660 persona, të cilët votojnë për herë të parë nga kjo komunë.

Krasniqi: Dalje e kënaqshme e votuesve në Obiliq

"Të drejtë vote në komunën tonë kanë 25 mijë e 72 votues prej tyre janë 660 votues të rinj prej zgjedhjeve të fundit të vitit 2017. Deri në këto momente që jam duke biseduar me juve është një dalje e kënaqshme, diku 35 për qind është dalja e qytetarëve, pra 8722 votues deri në orën 15:00", tha Krasniqi.

Shyhrete Gashi, menaxhere e Qendrës së votimit në shkollën "Ibrahim Rugova", në Obiliq, tha se të drejtë vote në këtë qendër kanë tetë mijë qytetarë.

Gashi: Votimet në Obiliq, çdo gjë ka shkuar në rregull

"Diku rreth tetë mijë votues kanë të drejtë vote në këtë qendër. Para orës 15:00 kanë qenë mbi tre mijë që e kanë kryer obligimin kushtetues. Ka vazhdimisht votues, çdo gjë ka shkuar në rregull...Aq sa po e shoh nga këndi im si menaxhere, nuk ka pasur minutë që nuk ka pasur votues këtu", tha Gashi.

Sipas saj, parregullsitë më të theksuara kanë qenë në ato raste kur shumë persona nuk e kanë gjetur emrat e tyre në listat e fletëvotimeve.

Një rast të tillë ka pasur edhe Fevzi Hashani nga Obiliqi. Ai tregon për KosovaPress se ka votuar gjithmonë në Obiliq, por që emri i tij nuk është në listë.

Hashani:  Nuk jam në listë për votues

"Nuk është në konfigurim letërnjoftimi im në Obiliq, për çfarë arsye nuk e di.  Të japin përgjegjësi vetë këta, unë nuk kam përgjegjësi për këtë punë, unë dua të votoj, e ata të më gjejnë se ku e kam vendin", tha ai.

Qytetari tjetër Fatmir Ismajli shprehet optimist se këto zgjedhje do të sjellin ndryshime për vendin.

Fatmir Ismajli: I ka ardhur fundi çdo të keqe

"Mendoj që i ka ardhur fundi çdo të keqe. Unë kam shpresa të mëdha se u kam dhënë votën të gjithë të rinjve edhe mendoj se do të bëhet mirë, u bë mjaft - 20 vjet kaluan. Nëse nuk bëhet edhe kësaj radhe mirë, unë nuk di kur bëhet", tha Ismajli.

Njëjtë shprehet edhe Enver Sadiku, i cili thotë se fokusi kryesor duhet të jetë në shëndetësi, arsim dhe zhvillim ekonomik.

Sadiku: Pas zgjedhjeve presim shumë ndryshime

"Prej këtyre zgjedhjeve presim shumë ndryshime, shumë të mira, zhvillim më të madh, shëndetësi më të mirë, arsim më të mirë, dhe gjitha të mirat për të gjithë", u shpreh Sadiku.

Ndryshe, në Komunën e Obiliqit të drejtë vote kanë mbi 25 mijë qytetarë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...