Rrënimi i staneve të shqiptarëve nga Mali i Zi: Pronarët kërkojnë ndihmën e shtetit të Kosovës

Kosova

Rrënimi i staneve të shqiptarëve nga Mali i Zi: Pronarët kërkojnë ndihmën e shtetit të Kosovës

Më: 8 tetor 2019 Në ora: 22:14
Rrënimi i staneve të shqiptarëve nga Mali i Zi

Trashëguan stanet nga stërgjyshërit e tyre. Vitet e fundit edhe i rinovuan në mënyrë që t`i vizitojnë kohë pas kohe. Mirëpo stanet e kosovarëve që gjenden në bjeshkën e Ishtedimit në Mal të Zi filluan të rrënohen.

Amrush Shala është njëri nga pronarët të cilit i është rrënuar stani. Ai ka thënë se ata kanë kundërshtuar vendimin për rrënimin e staneve të tyre, por që nuk u morën parasysh. Sipas tij ky vendim është politikë.

“Aty kam lindur. Edhe babai im aty ka lindur. Edhe babagjyshi im ka lindur aty, po ashtu. Kemi edhe varrezat në atë vend. E kemi blerë me para në kohë të Turqisë para se të vjen Jugosllavia”, tha për RTV Dukagjinin, Amrush Shala.

Ndërkohë një banor tjetër shprehet i bindur që dokumentet e pronësisë së kësaj bjeshke ekzistojnë, por jo në Mal të Zi.

Sipas tij malazezët po i duan këto bjeshkë pasi janë më të bukurat në Evropë.

“Ndoshta është vendim politikë. Flitet që dikush e ka privatizuar ndonjë biznesmen nga Mali i Zi. Disa policë në bjeshkë mohuan diçka të tillë, por ndoshta janë të obliguar të flasin ashtu”, shprehet banori tjetër Ajdin Shala.

Se janë pronar të këtyre tokave e thotë edhe 80 vjeçari Sefer Shala. Ai tregon se ata i kanë varret e te parëve në Ishtedim.

“Ne si persona në mënyrë private nuk kemi forcë të rregullojmë atë problem. Ky problem rregullohet vetëm mes dy shteteve. Qeveria jonë dhe ajo e Malit të Zi duhet ta rregullojnë këtë problem jo ne”, shprehet Sefer Shala .

Banorët e këtyre shtëpive prej druri në lartësi mbidetare gati 2000 metra mbeten me shpresë se do të ndihmohen nga shteti i Kosovës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat