Specialistët e Psikologjisë Klinike bojkotojnë konkursin e QKUK-së, e quajnë të jashtëligjshëm

Kosova

Specialistët e Psikologjisë Klinike bojkotojnë konkursin e QKUK-së, e quajnë të jashtëligjshëm

Më: 11 tetor 2019 Në ora: 00:29
QKUK

Këtë të enjte është mbajtur testi me shkrim për pranimin e dy psikologëve klinikë në Klinikën e Psikiatrisë.

Megjithatë, këta katër specialistë të kësaj fushe e kanë bojkotuar këtë test me arsyen se konkursi, që nga fillimi, ka qenë në kundërshtim me ligjin në fuqi, raporton ktv.

Specialistët thonë se janë të privuar nga aplikimi i dinjitetshëm dhe meritor në konkursin e shpallur, duke qenë se shkollimi dhe licenca e tyre zhvlerësohet.

Ata thonë se konkursi i shpallur në kohë zgjedhjesh, i bën ata të dyshojnë që është bërë me qëllim të sistemimit të personave pa merita.

Sipas tyre, ky konkurs është modifikuar dhe nuk është konform ligjit, ku me një koeficient prej 7.2 mbulon psikologun klinik dhe psikologun klinik specialist.

SHSKUK e kishte bërë përmirësimin e konkursit, duke e hequr kriterin e studimeve Master në psikologji.

Megjithatë, në një përgjigje me shkrim të QKUK-së, thuhet se kriteret e konkursit për psikologë klinikë janë kërkuar sipas nevojave të shërbimeve përkatëse, pa anashkaluar bazën ligjore, por në pajtim me nevojat e shërbimit.

“Në bazë të kërkesave për plotësim të konkursit, ai është plotësuar dhe kanë pasur të drejtë të konkurrojnë edhe specialistët e psikologjisë klinike”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Sipas tyre, koeficienti nuk është ndryshuar për shkak të implikimeve buxhetore, duke pasur parasysh edhe Ligjin e Pagave që fillon të zbatohet në fund të këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat