Hoti, drejtorëve komunalë të arsimit: Ju jeni meritor për suksesin e garave - Bota Sot
Hoti, drejtorëve komunalë të arsimit: Ju jeni meritor për suksesin e garave

Kosova

Hoti, drejtorëve komunalë të arsimit: Ju jeni meritor për suksesin e garave

Më: 2 nëntor 2019 Në ora: 18:03
Foto nga takimi

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, sot zhvilloi takim pune me drejtorë komunalë të arsimit si dhe përfaqësues të këtyre drejtorive.

Koordinatori Hoti e nisi takimin me falënderim për drejtoritë dhe stafin e tyre duke thënë se ata kanë pasur rolin kryesor në sukseset e arritura me Programin Nacional për Rininë.

“Ne kemi pasur idenë e programit, por ju e keni zbatuar atë në terren prandaj çdo sukses i programit dhe i nxënësve ju atribuohet juve. Bashkë me ju kemi arritur që për herë të parë në Kosovë t’i japim mundësi secilit nxënës pa bërë asnjë dallim që të shprehë talentin e vet. Si rezultat, sot kemi arkivën e nxënësve fitues me 44,723 fitues. Ju them me plot bindje po ashtu se të gjitha projeksionet për shpërblimet e nxënësve po realizohen. Ne kemi evidentuar sfidat dhe vështirësitë e organizimit prandaj kemi punuar që këtë vit ato të jenë edhe më minimale”, tha Koordinatori Hoti.

Edhe drejtorët e arsimit kontribuuan në diskutim duke potencuar anët pozitive e po ashtu edhe sfidat e organizmit të garave. Me këtë rast, drejtori i arsimit në Mitrovicë, Egzon Jashari, tha se garat kanë nxitur një frymë garuese që nuk ka qenë nëpër shkolla. “Konsideroj që garat duhet të vazhdojnë pavarësisht sfidave që janë hasur. Sfidat nuk duhet të na ndalojnë t’u ofrojmë nxënësve mundësinë për t’i shprehur talentet e tyre, sepse çdo njëri është i veçantë. Këto gara kanë qenë mundësi shumë e mirë për ta dhe ne së bashku duhet të vazhdojmë avancimin e projektit”, tha Jashari.

Remzi Bytyqi, drejtor i arsimit në komunën e Suharekës, në fjalën e tij tha se “programi është një vlerë që duhet të promovohet vazhdimisht sepse ka pasur një gjithëpërfshirje dhe një aktivizim masiv që nuk ka ndodhur më parë. Si i tillë duhet të vazhdojë të zbatohet e plotësohet”, tha Bytyqi.

Nga Dragashi, drejtori i arsimit Vloran Cenaj tregoi se me përkushtim e vullnet i kanë tejkaluar edhe çështjet financiare dhe tashmë janë bërë planifikimet buxhetore për këtë vit shkollor. “Ky program ka futur frymën garuese nëpër shkolla dhe duke parë të mirat që ka sjellë do të vazhdojmë me organizimin sipas planifikimeve”, tha Cenaj.

Nga Istogu, drejtori i arsimit Hajrush Shoshi tha se rezultatet e suksesshme të garave nuk mund të mohohen ndërkohë që propozoi të shtohen mjetet buxhetore për nivelin e shkollor e komunal të organizimit.

E përfaqësuesi i DKA-së nga Prizreni, Isuf Kurtaj, tha se vendimi i qeverisë duhet të avancohet si një program gjithëpërfshirës me të gjitha institucionet sidomos me MASHT-in, veçmas kur shkollat e veçanërisht nxënësit e kanë përqafuar këtë program.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat