Dënime të ulëta për shkaktarët e aksidenteve me fatalitet

Kosova

Dënime të ulëta për shkaktarët e aksidenteve me fatalitet

Më: 3 nëntor 2019 Në ora: 21:22
Ilustrim

Por, pse këto dënime janë kaq të ulëta për shkaktarët e aksidenteve me pasoja fatale ?

Një tejkalim në vijë të plotë, në korrik të këtij viti, shkaktoi një aksident të rëndë në Bërnjak të Rahovecit.

Si pasojë e këtij veprimi, 5 persona mbeten të vdekur.

E për këtë veprim, ngasësi i këtij mjeti, Durak Hoxhaj, të hënën nga Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, u dënua me vetëm 3 vjet e 6 muaj burgim.

Ndërkohë, një aksident që kishte tronditur vendin, kohë më parë kishte ndodhur në rrugën B në kryeqytet.

Ngasësi i një veture, goditi për vdekje 2 persona të gjinisë femërore, deri sa po kalonin rrugën në vendin e dedikuar për këmbësor.

Për këtë aksident ngasësi i veturës  Luftrim Musaj, fillimisht u dënua nga Gjykata Themelore me vetëm 3 vite e gjysmë heqje lirie.

Pas ankesës së palës së dëmtuar, Gjykata e Apelit atij ia rriti dënimin në  5 vite burgim.

Ndërkohë, familjarët haptazi kishin shprehur pakënaqësinë e tyre në lidhje me dënimet e shqiptuara për këto raste.

Një rast i tillë kishte ndodhur brenda Gjykatës ku njëri prej familjarëve të viktimave pështyu shkaktarin e aksidentit. Ai ishte i indinjuar nga dënimi shumë i vogël.

Por, pse këto dënime janë kaq të ulëta për shkaktarët e aksidenteve me pasoja fatale ?

Njohësi i çështjeve juridike, Sevdali Zejnullahu, thotë se për këto veprime dënimi shkon deri në 8 vite.

“Tek aksidentet e trafikut, në bazë të legjislacionit tonë që është në fuqi, për këtë vepër penale është e përcaktuar prej 1 deri në 8 vite burgim. Në parim, kjo vepër kryhet prej pakujdesisë, praj janë rastet kur një i pandehur i mbivlerëson aftësitë e tij”, thotë ai.

E sipas atyre që i monitorojnë këto seanca gjyqësore, gjyqtarët në Kosovë për raste të ndryshme të kësaj natyre, po përdorin arsyetime të njëjta.

Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se politika ndëshkimore në Kosovë, është e shthurur.

“Në sistemin gjyqësor të Kosovës, politika ndëshkimore është e shthurur dhe jokonsistente, për arsye nuk kemi vlerësim të drejtë të rasteve, për ato që janë të ngjashme, kemi aktgjykime dhe dënime diametralisht të kundërta”

Sipas Shalës, njëri nga qëllimet e shqiptimit të dënimit, është parandalimi i të tjerëve ta kryejnë veprën e njëjtë.

Por kjo, sipas tij, nuk po ndodh në Kosovë.

“Po shohim vazhdimisht dënime etj, po aksidentet veçse janë në rritje. Për këtë, nuk po arrihet qëllimi i dënimit që është parandalimi….”

Ndryshe, sipas Policisë së Kosovës, vetëm në periudhën janar – shtator të këtij viti, 76 persona humbën jetën në aksidentet e trafikut në rrugët e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat