Drejtoresha e Inspeksionit thotë se Ramiz Lladrovci e shkarkoi nga pozita pa arsye

Kosova

Drejtoresha e Inspeksionit thotë se Ramiz Lladrovci e shkarkoi nga pozita pa arsye

Më: 3 nëntor 2019 Në ora: 21:44
Aurora Berisha

Aurora Berisha, ka bërë të ditur se është shkarkuar nga detyra e Drejtoreshës së Inspeksionit në Komunën e Drenasit, më 31 tetor pa asnjë vërejtje nga ana e kryetarit Ramiz Lladrovci.

Berisha përmes një statusi në Faceboook ka thënë se këtë detyrë e ka ushtruar që nga shkurti i vitit 2017, dhe se e ka kryer detyrën me përgjegjësi dhe transparencë dhe se ka arritur suksese në detyrën e saj.

Postimi i saj:

Nga shkurti i vitit 2017 kam mbajt pozitën e Drejtorit të Inspeksionit në Komunën e Drenasit. Në mandatin e parë të tij kryetari aktual i Komunës së Drenasit u zotua për zbatimin e kuotës gjinore dhe mbështetje të gjinisë femërore edhe në pozitat udhëheqëse. Me marrjen e mandatit ai na emëroi pesë drejtore, në pesë drejtori.

Ku unë u emërova Drejtore në drejtorinë e Inspeksionit, drejtori kjo që e kam udhëhequr deri më tani.

Unë kam qenë në krye të detyrës me përgjegjësinë më të lartë duke punuar në përputhje me ligjin, për përmbushjen e planit vjetor dhe financiar duke përfshirë urdhrat dhe kërkesat e kryetarit të Komunës së Drenasit. Ku deri më tani kam marrë vetëm lëvdata dhe mirënjohje për punën time, të drejtorisë që kam udhëhequr nga qytetarët por edhe vet kryetari, çdo punë e drejtorisë që kam udhëhequr ka qenë transparente e raportuar drejtpërdrejtë kryetarit të komunës dhe e publikuar në ueb-faqen zyrtare të komunës.

Për punën time dhe suksesin tim gjatë gjithë kësaj periudhe i jam mirënjohëse edhe bashkëpunëtorëve të mi në drejtorinë e inspeksionit që kanë qenë gjithmonë në krye të detyrës dhe puna me ta ka qenë kënaqësi duke qenë në nivel të detyrës dhe përgjegjësisë gjithmonë. Gjithashtu falënderoj edhe të gjitha institucionet tjera që kanë qenë bashkëpunuese në raport me drejtorinë që kam udhëhequr.

Falënderoj mediat që kanë përcjell punën tonë, falënderoj organizatat e pavarura qeveritare dhe jo qeveritare, çdo iniciativë qytetare për bashkëpunim dhe falënderim për të gjithë qytetarët që kanë qenë bashkëpunues në realizimin e punës tonë të përditshme për zbatimin e ligjit.

Mirëpo, duke qenë e përcaktuar nga legjislacioni në fuqi se pozita e “Drejtorit Komunal” është pozitë politike dhe bëhet me emërimin e kryetarit dhe mandati i saj zgjatë njëjtë me mandatin e kryetarit, pa ndonjë datë të përcaktuar. Gjithashtu është e përcaktuar që kryetari siç ka të drejtë të emëroj një drejtor, ka të drejtë edhe të shkarkojë atë, sikurse në rastin tim pa ndonjë vërejtje apo arsye. Në rregull.

Unë pranova këtë vendim të kryetarit të Komunës së Drenasit.

Por tani në prononcim të mediave për cilat pritshmëri e ka fjalën kryetari i Komunës së Drenasit?!

Ku siç e potencova më lartë, deri më tani kam qenë në krye të detyrës me përgjegjësinë më të lartë duke punuar në përputhje me ligjin dhe në përputhje me objektivat për përmbushjen e plan programit të tij edhe politik, ku përveç kësaj unë kam qenë në detyrë edhe të Partisë Demokratike të Kosovës, parti kjo që mban pushtetin në Drenas dhe i takon kryetari i Komunës së Drenasit, pas angazhimit tim në korrik të vitit 2019 jam bërë pjesë edhe e kryesisë të kësaj partie dega në Drenas, me qëllimin që të jem sa më pranë realizimit të plan programit të partisë, duke besuar që do të jetë punë dhe përgjegjësi shtesë për mua që do ta vlerësoj kryetari i komunës pasi që kësaj partie edhe i takon.

Mirëpo siç duket ka qenë e kundërta e asaj, pasi që ka munguar përkrahja e kryetarit të Komunës së Drenasit, ku së fundi erdhi presioni dhe kërkesa e tij për dorëheqjen time nga pozita e Drejtorit të Inspeksionit. Unë nuk u pajtova me këtë kërkesë të pa arsyeshme, prandaj pritshmëria e tij për dorëheqjen time nuk u përmbush dhe më 31 tetor 2019 pa asnjë vërejtje më shkarkoi nga pozita.

Ky është prononcimi i vetëm dhe i fundit për këtë temë dhe deklarim për të gjitha mediat dhe qytetarët, për pyetjet e ndryshme që më kanë arritur gjatë këtyre ditëve, me të cilin e mbyll këtë kapitull.

Ju faleminderit edhe njëherë të gjithëve për mbështetjen e vazhdueshme!

Me respekt,
Aurora Berisha

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat