Studentët protestojnë për bursat, MASHT: Përkrahim vetëm kuadrot deficitare

Kosova

Studentët protestojnë për bursat, MASHT: Përkrahim vetëm kuadrot deficitare

Më: 4 nëntor 2019 Në ora: 16:03
Foto

Këshillat Studentore te disa fakulteteve mesditën e sotme protestuan para Ministrisë së Arsimit për ta kundërshtuar vendimin e MATSH-it për konkursin e bursave për studentët e Universitetit të Prishtinës.

Studentët protestojnë për bursat, MASHT: Përkrahim vetëm kuadrot deficitare

Këshillat Studentore te disa fakulteteve mesditën e sotme protestuan para Ministrisë së Arsimit për ta kundërshtuar vendimin e MATSH-it për konkursin e bursave për studentët e Universitetit të Prishtinës.

Studentët e Fakultetit të Artëve, Fakultetit Filozofik dhe disa drejtimeve të mjekësisë thanë se nuk janë duke protestuar kundër kritereve të bursave, por kundër faktit që ka diskriminime për studentët e dalluar në këto drejtime.

Sipas tyre, për ministrin e Arsimit, studenti është prioriteti i fundit. Studentët protestues u shprehën se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre do të bojkotojnë të gjithë procesin mësimor.

Edison Bibaj kryetar i këshillit studentor në Universitetin e Arteve, tha se arsyeja e protestës para MASHT-it, është se bursat nuk janë të përfshira për të gjitha njësitë akademike por vetëm për disa fakultete.

Tutje, Bibaj tha se kanë adresuar kërkesë të enjten në Ministrinë e Arsimit, për të kërkuar sqarime se pse Fakulteti i Arteve nuk është i përfshirë në bursa, mirëpo sipas tij nuk kanë marrë madje as përgjigje negative.

Bibaj: Vendimi për bursat të rishqyrtohet

“Thirrja për ministrin nga ana jonë si përfaqësues të studentëve është që ky vendim duhet të rishqyrtohet, duhet të ndërrohet dhe nuk e pranojmë në asnjë mënyrë. I vetmi kompromis prej anës të përfaqësuesve të studentëve, studentëve bursistë por edhe studentëve të Universitetit të Prishtinës, është që ky vendim të anulohet. Në asnjë mënyrë nuk do të pranojmë që ky vendim të ecë përpara. Ne bëjmë thirrje që mos të na maltreton ministri i Arsimit, ne bëjmë thirrje që më parë të ndërrojë këtë vendim”, tha Bibaj.

Gjylshahe Fetaj, përfaqësues e Departamentit Infermieri dhe Fizioterapi në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë, tha se ky vendim i MASHT-it, është vendim i padrejtë dhe diskriminues sepse sipas saj edhe ata e meritojnë të jenë përfitues të bursave.

Fetaj: Kërkesa jonë është që bursa të kthehet të paktën në vlerën e mëparshme

“Ne jemi këtu për të kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Arsimit për konkursin për ndarjen e bursave. Sipas këtij vendimi janë anashkaluar studentët e programeve Infermieri dhe Fizioterapi dhe kanë të drejtë përfitimi vetëm studentët e programeve Mjekësi e Përgjithshme, Farmaci dhe Stomatologji. Studentët e këtyre departamenteve mendojnë që ky vendim është shumë i padrejtë, është diskriminues dhe i padrejtë dhe në kemi të drejtë të ankohemi për shkak se mendojmë që nuk jemi fajtorë. Sipas këtij vendimi, jo vetëm që do të dëmtohen studentët, por edhe do të ngarkohen ekonomikisht familjet e studentëve që i përkrahin financiarisht studimet e tyre. Ne kemi kërkuar edhe sqarim nga ministri, por nga zyrtarët e ministrisë e gjithë përgjigja ka qenë: ‘kështu ka vendos ministri’. Ne mendojmë që kemi të drejtë të marrim një përgjigje se pse është shpallur ky konkurs sele ktiv, ne nuk do të ndalemi deri në përmbushjen e kërkesave tona. Kërkesa është që bursa të rikthehet në vlerën që ka pasur edhe pse ka pasur premtime prej ministrit që vlera e bursës do të rritet nga viti në vit”, u shpreh Fetaj.

Ndaj kësaj proteste ka pasur reagim nga Ministria e Arsimit. Përfaqësuesi i kësaj ministrie, Burim Gashi, në një dalje për media deklaroi se mbështetja e studentëve me bursa ka për qëllim përkrahjen e kuadrove deficitare, prandaj janë zgjedhur për mbështetje financiare vetëm fakultetet të cilat përgatisin kuadro deficitare.

Sipas tij, Fakulteti i Edukimit dhe ai i Arteve nuk konsiderohen më si deficitare, prandaj studentët e këtyre fakulteteve nuk do të mbështeten financiarisht nga MASHT.

Gashi: Ja pse i eliminuam programin e Arteve, Edukimit dhe Edukatës Fizike

“Në këtë vit akademik 2019/20, ministri ka marrë vendim për t’i përkrahur studentët elitarë në programet si në bujqësi, në programet ekzakte, duke i eliminuar tri programe si ai i Arteve, Edukimit dhe të Edukatës Fizike. Arsyeja pse ministri ka marrë këtë vendim është për shkak të mungesës tregut të punës që sheh Ministria e Punës. Në vendim është në bazë të udhëzimit administrativ është paraparë që nota mesatare të jetë 9,0 për këto fusha. Ministri e ka parë të arsyeshme që të mos jenë Artet dhe Edukimi sepse këto qe 2.3 vite pjesa dërmuese nuk ka nevojë për treg te punës dhe kjo është arsye pse janë eliminuar këto fusha, mirëpo kjo nuk do te thotë që vitin tjetër nuk do te jenë këto fusha dhe politika e Ministrisë se Arsimit si e sheh të arsyeshme edhe i cakton fushat”, tha ai.

Po ashtu, nga MASHT bëjnë të ditur se këtë vit akademik është ulur kriteri i notës mesatare për përfitimin e bursës për studentët e Fakultetit Teknik, sepse përveç që ky fakultet përgatit kuadro që në tregun e punës ka mungese të theksuar, disa drejtime rrezikojnë të mbyllen për mungesë interesimi për të studiuar në këto drejtime.

Me këtë rast, Ministria e Arsimit kërkon nga organizatat të cilat përfaqësojnë studentët, që të mos manipulojnë studentët në lidhje me këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat