Hoti viziton Komunën e Obiliqit

Kosova

Hoti viziton Komunën e Obiliqit

Më: 6 nëntor 2019 Në ora: 17:15
Pamje nga takimi

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, sot ka mbajtur takim pune me nënkryetarin e Komunës së Obiliqit, Ibush Mjekiqi, drejtorin e arsimit, Agim Spahiu dhe drejtoreshën e kulturës, rinisë dhe sportit, Ilire Kelmendi Shema.

Në takim u diskutua për koordinimin e aktiviteteve për garat Nacionale në Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik dhe Garat Nacionale të Sportit si dhe për sukseset e treguara në garat e mbajtura të KKMK-së dhe garat Nacionale të Diturisë.

“Edhe pse komuna e Obiliqit për nga numri i popullsisë radhitet te komunat e vogla, përmes Programit Nacional të Rinisë, konkretisht garave të Diturisë dhe KKMK-së, nxënësit nga kjo komunë, kanë treguar rezultate të jashtëzakonshme. Ne edhe tani kërkojmë që të ketë një bashkërendim sa më të mirë ndërmjet të gjithë akterëve që edhe në garat aktuale që janë duke u zhvilluar, nxënësve t’u mundësohet që t’i shfaqin aftësitë dhe talentet e tyre, dhe të tregojnë rezultate të larta”, tha koordinatori Hoti

Mbështetje për programin shprehu nënkryetari i komunës i cili theksoi se “ne kemi qenë të hapur për bashkëpunim dhe jemi të obliguar që të përcjellim vendimet që vijnë nga niveli qendror. Jemi dhe do të vazhdojmë me qenë në shërbim të gjeneratave të reja dhe duke parë një rezultat të tillë kaq të suksesshëm, ne si Komunë jemi përgjegjës dhe do vazhdojmë tutje t'i përkrahim organizimet që kanë të bëjnë me dituri, sport dhe rini”, tha nënkryetari Mjekiqi.

Ndërkaq drejtori i DKA-së Agim Spahiu u shpreh tejet i kënaqur me rezultatet e arritura nga nxënësit e komunës së Obiliqit. “Nxënësit e Komunës së Obiliqit kanë treguar rezultate të jashtëzakonshme ku vetëm në nivel republikan të garës kanë qenë fitues 15 nxënës, duke bërë kështu që Komuna e Obiliqit të renditet në vendet e para, përkatësisht në nivele të shkollave të mesme, Gjimnazi "17 Shkurti" nga Obiliqi renditet në vendin e parë. Ne si komunë duke parë këto suksese të nxënësve, kemi bërë ndërhyje në rregulloren komunale për ndarjen e bursave dhe tani nxënësve fitues të nivelit republikan do t’u mundësohet që të marrin shpërblim edhe nga komuna”, tha Spahiu.

Hoti i shoqëruar nga Spahiu po ashtu vizitoi edhe Gjimnazin “17 Shkurti” ku u mirëpriti nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës, Besa Gashi, e cila ndër të tjerash tha se udhëheq “një gjimnaz i vogël, mirëpo me suksese të mëdha”.

Edhe mësimdhënësit e gjimnazit e mirëpritën Hotin me ç’rast e përgëzuan për garat duke treguar për sukseset e shkollës së tyre. Edhe drejtori Spahiu tregoi se janë bërë ndryshime shumë pozitive në ifrastrukturën e kësaj shkolle ku nga një ambient ku ka pasur gjarprinj, sot ka një infrastrukturë të zhvilluar shkollore.  

Nxënësit e Komunës së Obiliqt nëpërmjet Programit Nacional për Rininë vetëm në garën Nacionale të Diturisë për të tri nivelet kanë arritur t’i kenë këto rezultate; në nivelin shkollor 330 nxënës fitues, atë komunal 58 dhe republikan 15 nxënës fitues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat