Përdorimi i alkoolit te të rinjtë e Kosovës, shqetësim në rritje

Kosova

Përdorimi i alkoolit te të rinjtë e Kosovës, shqetësim në rritje

Më: 13 nëntor 2019 Në ora: 14:57
Foto ilustrim

Konsumimi i alkoolit te të rinjtë nën moshën 18-vjeçare po bëhet një dukuri gjithnjë e më shqetësuese, thonë përfaqësues të organizatave që merren me rehabilitimin e personave nga alkooli dhe substancat narkotike. Sipas tyre, të rinjtë mund të blejnë me lehtësi alkool edhe pse ndalohet me ligj shërbimi dhe shitja e alkoolit te moshat nën 18 vjeç.

Dea 17 vjeçe (emri i njohur për redaksinë), ka folur për Radion Evropa e Lirë, duke thënë se zakonisht vikendeve del me shoqëri në klube apo diskotekë. Ajo thotë se kur dalin në mbrëmje me shoqëri, kryesisht konsumojnë pije alkoolike.

“Po alkool konsumoj gjatë vikendeve pa asnjë problem edhe pse i kam 17 vjet. Edhe shokët e shoqet e mia blejnë alkool pa problem, kudo. Ndonjëherë na bie të dalim edhe më shpesh sesa vetëm për vikend, qoftë për ndonjë festë, ditëlindjeje ose diçka tjetër, dhe po, konsumojmë alkool”, tha ajo.

Edhe Arti, 17 vjeç (emri i njohur për redaksinë) thotë se të rinjtë nuk kanë shumë problem që të vijnë deri te blerja dhe konsumimi i pijeve alkoolike.

"Unë asnjëherë nuk kam rastisur që të më ndalojë dikush në hyrje të ndonjë lokali apo diskoteke, ndonëse jam 17 vjeç. Aty lejohet të konsumosh çka të duash. Te ne ligjet nuk zbatohen", thotë ai.

Ligji për mbrojtjen e konsumatorit ka paraparë ndalesën për shitjen e produkteve të duhanit dhe alkoolit nën moshën 18-vjeçare. Kjo është përcaktuar me nenin 15 të këtij ligji, por që nuk po respektohet në masë të duhur.

Safet Blakaj, drejtues i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint” tha se Kosova nuk ka statistika se sa përdorues aktiv të alkoolit janë. Me gjithë ndalesat ligjore, ai thotë se janë të vetëdijshëm që alkooli shërbehet edhe për personat nën moshën 18-vjeçare.

“Sipas vlerësimeve tona në terren, në këtë rast kur flitet për alkoolin, qoftë nëpër lokale apo edhe festa të ndryshme, të rinjtë përdorin alkool dhe është një rritje e dukshme dhe e shpejtë e këtij fenomeni. Nga kjo rrjedhin shumë probleme si sjellje të papranueshme, agresivitet dhe sipas vlerësimeve tona, deri në pesë vjetët e ardhshme ky fenomen do të jetë mjaft shqetësues. Tash për tash nuk ka të dhëna se sa të rinj e përdorin alkoolin”, thotë Blakaj.

Në Klinikën Neuropsikiatrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shaban Mecinaj, neuropsikiatër, thotë se në këtë klinikë më shumë pranojnë raste të fëmijëve që abuzojnë me substanca narkotike, derisa thotë se rastet e të rinjve të varur nga alkooli janë të rralla.

Ndërkaq, në Policinë e Kosovës, zëdhënësi Daut Hoxha tha se të gjitha rastet e raportuara, Policia e Kosovës i trajton dhe bazuar në Kodin Penal ato emërtohen, evidentohen dhe pas procedurave te nevojshme hetimore dhe dëshmive te mbledhura, rastet kompletohen dhe procedohen tek organet kompetente tël drejtësisë për vendime të mëtejme.

“Nga detyrat dhe autorizimet e përgjithshme të policisë që dalin nga Ligji për Policinë janë mbajtja e rendit dhe sigurisë publike, mbrojtja e jetës dhe pronës për të gjithë personat. Policia e Kosovës vazhdimisht ka punuar në luftimin e dukurive negative dhe krijimin e një sigurie të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e vendit, qoftë përmes planeve operacionale policore apo përmes fushatave te ndryshme vetëdijesimi”, tha Hoxha.

Sidoqoftë, ekspertët shëndetësorë thonë se përdorimi i alkoolit dhe substancave narkotike nga të rinjtë, nën moshën 18 vjeç, mund të shkaktojë dëme të rënda në zhvillimin e tyre fizik, mendor dhe moral./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat