Në Sistemin kombëtar qendror të evidencave penale janë regjistruar 250 mijë dënime

Kosova

Në Sistemin kombëtar qendror të evidencave penale janë regjistruar 250 mijë dënime

Më: 19 nëntor 2019 Në ora: 13:32
Foto

Ka shkuar në 250 mijë numri i regjistrimit të dënimeve penale në Sistemin kombëtar qendror të evidencës penale.

Kështu u bë e ditur gjatë vizitës që Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) dhe Zyra e BE-së i kanë bërë Gjykatës Themelore në Prishtinë. Vizita kishte për qëllim që të diskutohen zhvillimet dhe arritjet në operacionalizimin dhe digjitalizimin e bazës kombëtare të të dhënave të evidencës penale e zbatuar nga Sistemi qendror kombëtar i evidencës penale (NCCRS).

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Skender Çoçaj, tha se numri i regjistrimit ka arritur në 250 mijë dhe sipas tij kjo është një arritje e madhe.  Ai bëri të ditur se kanë krijuar një task-forcë për qëndrueshmërinë e këtij projekti.

Çoçaj: Ky numër para pak ditësh ka arritur rreth 250 mijë dënime të regjistruara

“Ky numër para pak ditësh ka arritur rreth 250 mijë dënime të regjistruara, kjo është vërtet një arritje shumë e madhe dhe inkurajuese... Ne e kemi krijuar një task-forcë për qëndrueshmërinë e këtij projekti, e cila do të angazhohet në hartimin e planit të detajuar të transferimit të këtij sistemi tek autoritetet vendore. Pjesë e këtij plani do të jenë veprimet, rezultatet, afatet kohore, institucionet dhe individët përgjegjës. Regjistrimi i lëndëve në këtë data-bazë do të lehtësojë punën jo vetëm për zyrtarët tanë, por po ashtu edhe për institucionet tjera dhe qytetarët e Kosovës. Përfitimet që tashmë janë të njohura besoj për të gjithë ne, ndërsa qytetarët do të jenë në gjendje të marrin certifikatat direkt nga ky sistem, kjo gjë jo vetëm që do të garantojë sigurinë maksimale për këto të dhëna, por do të ofrohet me një shpejtësi shumë të madhe në krahasim me sistemin e deritanishëm”, tha ai .

Kryesuesi Çoçaj tha se Gjykata Themelore e Prishtinës është shembull për gjithë sistemin gjyqësor të Kosovës, ku tha se përveç konsulentëve të angazhuar në këtë projekt janë trajnuar edhe tre zyrtarë të gjykatës për regjistrimin e lëndëve të reja në sistemin e evidencës penale. Kjo sipas tij është një hap që dëshmon gatishmërinë e kësaj gjykate për të trashëguar detyrimet që dalin pas përfundimit të këtij projekti.

Ndërsa, Riccardo Serri, zëvendësshef i Zyrës së BE, tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm për punën e gjyqësorit.

Ai tha se sundimi i ligjit është shumë i rëndësishëm për ta dhe për rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Serri: Ky projekt iu mundëson qytetarëve ta marrin shërbimin shumë më lehtë

“Ky projekt që e kemi mbështetur nga Zyra e BE-së iu mundëson qytetarëve ta marrin shërbimin shumë më lehtë sesa që ka qenë në të kaluarën dhe prandaj duhet të them që është shumë e rëndësishme për ju, për rolet tuaja në Kosovë. Duket jo edhe aq e rëndësishme për dikë, mirëpo shumë qytetarë kur duan të aplikojnë për punë, kur duan të aplikojnë për vizë, atyre iu nevojitet certifikata e të kaluarës kriminale dhe ata vijnë këtu për ta marrë një certifikatë. Ky projekt do t’iu ndihmojë juve që të ofroni shërbime shumë më shpejt. Ju gjyqtarë, prokurorë që punoni këtu, e dini sa është e rëndësishme që të keni regjistrin e së kaluarës të rasteve të kaluara në mënyrë që të keni një fotografi më të qartë të asaj se si është me përgjegjësi, po edhe për një person sa herë ka qenë i dënuar në të kaluarën. Pra, shumë më rëndësi që të kemi një regjistër penal, i cili është i freskuar . Po ashtu, edhe për politikë-bërësit është më rëndësi që ta dinë që për politikat gjyqësore që t’i dinë statistikat, të dinë sa raste i kanë pasur, cila është situata në secilën gjykatë veç e veç”, tha ai.

Ndërsa, Afërdita Bytyçi, kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë, tha se nga ky projekt më së shumti do të përfitojnë qytetarët e vendit.

Bytyçi: Deri më tani janë regjistruar mbi 90 për qind e lëndëve dhe janë futur në sistem

“Vlerësojmë se ky projekt do të jetë shumë i dobishëm dhe efikas për vendin tonë, dhe do të shërbejë si autoritet që do të marrë vendimin administrativ mbi rehabilitimin ligjor në përputhje me dispozitat e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale të Kosovës. Me jetësimin e këtij sistemi dënimet e shlyera nuk do të pasqyrohen në certifikatat e gjendjes penale të lëshuara nga sistemi qendror i evidencës penale të Kosovës. Si të tilla, këto certifikata do të mund të merren në çdo gjykatë të shkallës së parë në tërë territorin e Kosovës. Puna për lansimin e këtij projekti ka nisur në vitin 2017 dhe deri më tani janë regjistruar mbi 90 për qind e lëndëve dhe janë futur në sistem. Sistemi do të gjenerojë të dhëna që nga viti 1999, përveç qytetarëve që do të kenë një benefit të jashtëzakonshëm si në aspektin kohor dhe saktësisë së këtyre certifikatave, benefiti do të jetë shumë më i madh sidomos pà «r gjyqtarë, prokurorët dhe organet tjera të ndjekjes penale apo shërbime tjera sekrete dhe ato të sigurisë kombëtare”, tha ajo.

Funksionalizimi i këtij projekti, sipas saj do t’i shërbejë zbatimit të politikave publike, ndërsa theksoi se me këtë evidencë pamundësohet keqpërdorimi i certifikatave që shërbejnë për punësim, apo edhe për viza. Sistemi kombëtar qendror i evidencës penale, sipas saj do të eliminojë çfarëdo dileme për të kaluarën penale të qytetarëve të Kosovës.

Ndryshe, sistemi qendror i evidencës penale në Kosovë është projekt i financuar nga BE-ja dhe ka për qëllim që të mbështesë reformën politike, ligjore dhe administrative për të vendosur evidencën penale në nivel qendror dhe atë të gjykatave.

Përmes mekanizmave të krijuara nga projekti do të sigurohet që certifikatat e besueshme rreth së kaluarës penale do të lëshohen përmes një sistemi kompatibil me standardet evropiane dhe ato të Sistemit Informativ Evropian të Evidencës Penale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat