Hyseni: Radio KFOR-i do të vazhdojë të jetë shpirti i misionit të KFOR-it

Kosova

Hyseni: Radio KFOR-i do të vazhdojë të jetë shpirti i misionit të KFOR-it

Më: 6 dhjetor 2019 Në ora: 18:41
Emina Hyseni

Radio KFOR-i ka shënuar sot 20-vjetorin e themelimit, e menaxherja e kësaj radio Emina Hyseni, premton se do të vazhdojnë të jenë shpirti i misionit të KFOR-it.

Radio KFOR-i për 20 vite ka kultivuar paqen, tolerancën dhe bashkëjetesën shumetnike ndërmjet të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Menaxherja e Radio KFOR-it, Emina Hyseni thotë për KosovaPress se për këto vite pjesa e stafit civil në këtë radio janë kontribuues të paqes, për shkak se që 20 vite promovojnë mesazhe për paqe, tolerancë dhe bashkëjetesë.

Hyseni: Shënuam 20 vjetorin e Radio KFOR-it

“Shënuam 20 vjetorin e Radio KFOR-it, radio kjo e cila për qëllim ka promovimin e paqes, tolerancës dhe bashkëjetesës në të gjithë Kosovën. Një ndjenjë shumë e mirë, një emocion fantastik, në veçanti për stafin i cili tashmë është pjesë e Radio KFOR-it 20 vite... Unë gjithmonë them se pjesa e stafit civil në Radio KFOR, janë në një mënyrë apo tjetrën kontribuues të paqes, për vet faktin se tash e 20 vite promovojmë mesazhe për paqe, tolerancë dhe bashkëjetesë. Kemi organizuar shumë aktivitete të ndryshme, fushata të ndryshme, në të cilat i bashkuam të rinjtë shqiptarë dhe serb. Ne ndihemi si kontribuues të paqes dhe i gëzohemi faktit që sot Kosova, por edhe sigurisht të gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it e gëzojnë një jetë shumë më të mirë”, thotë Hyseni.

Hyseni thotë se ndjehen të lumtur që për 20 vite dëgjuesit i përmendin dhe i promovojnë mesazhet e njëjta si Radio KFOR-i, për këtë ajo thotë se edhe ata bëhen pastaj kontribuues dhe bashkëpunëtor të misionit të tyre.

Hyseni: Dëgjuesit na njohin si radio me muzikën më të mirë në vend

“Dëgjuesit dhe qytetarët neve na njohin si radio me muzikën më të mirë në vend, dhe kjo na bënë të ndjehemi shumë krenarë dhe shumë të lumtur. Por, sigurisht ajo që na gëzon shumë është kur të gjithë ata i përmendin mesazhet që ne i promovojmë vazhdimisht, dhe në atë mënyrë ata automatikisht bëhen kontribuues dhe bashkëpunëtor në misionin tonë”, shprehet ajo.

Hyseni është pjesë e Radio KFOR-it që nga themelimi dhe premton se kjo radio do të vazhdojë edhe në vitet në vijim të jetë shpirti i misionit të KFOR-it.

Hyseni: Do të vazhdojmë të jemi shpirti i misionit të KFOR-it

“Radio KFOR-i nuk do të ndalet me kaq, ne do të vazhdojmë të jemi zëri i fuqishëm, ashtu siç e tha komandanti shpirti i misionit të KFOR-it. Do të vazhdojmë të plasojmë mesazhe, të cilat do të ndikojnë padyshim pozitivisht tek të gjithë audienca kosovare. Sigurisht do të sjellim shumë risi në emisione dhe në programet argëtuese”, thotë ajo.

Kujtojmë se Radio KFOR-i u themelua me 6 dhjetor të vitit 1999 dhe sot programet e kësaj radioje përfshijnë një larmi temash, duke përfshirë edhe lajme dhe muzikë. Radio KFOR-i ka filluar punën në periudhën pas konfliktit në Kosovë për t’i ofruar popullatës informata, në kohë dhe të paanshme, mbi KFOR-in dhe çështjet e sigurisë, si dhe në gjuhën shqipe e serbe, së bashku me programe muzikore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat