Hoti viziton Junikun e Dragashin

Kosova

Hoti viziton Junikun e Dragashin

Më: 11 dhjetor 2019 Në ora: 17:12
Pamje nga takimi

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti është takuar me drejtorët e shkollave të komunës së Junikut dhe Dragashit. Ata kanë diskutuar për Programin Nacional për Rininë dhe për garat që janë duke u zhvilluar në kuadër të këtij programi.

Në të dyja komunat, Koordinatori Hoti foli për sukseset e nxënësve në garat nacionale të  Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe atyre të Diturisë. Ai tha se ky sukses nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin e drejtorive komunale të arsimit, drejtorëve dhe stafit të shkollave.

“Në nivel të Republikës së Kosovës kemi arritur të kemi 44723 fitues. Kjo është bërë në bashkëpunim dhe punën e të gjithë drejtorëve të shkollave të Republikës. Programi Nacional për Rininë  ju dha mundësi të jashtëzakonshme të gjithë nxënësve pa dallim origjine, përkatësie etnike që të shprehin dijen dhe talentin e tyre, ku çdo i 6 nxënës ka fituar një shpërblim. Unë pres që edhe në garat e tanishme nxënësit e komunës suaj të tregohen të suksesshëm”, tha ndër të tjera Hoti.

Image

Në Junik, Hoti u priti nga Kryetari i Komunës, Agron Kuçi i cili e uroi Koordinatorin Hoti për punën e jashtëzakonshme dhe të suksesshme në realizimin e programit. “Uroj që ky projekt të vazhdojë përgjithmonë. Ne si Komunë e Junikut jemi shumë të kënaqur me projektin si dhe suksesin e nxënësve tanë”, tha Kuçi.

Ndërsa, në Dragash, Hoti shtoi se është për tu vlerësuar lartë bashkëpunimi në këtë komunë pasi që këtu jetojnë edhe një pjesë e komuniteteve. Ai tha se ndihet i kënaqur që komunitetet e kësaj komune e kanë gjetur veten në këtë program sepse ai është hartuar për të gjithë nxënësit.

Kurse, Drejtori Komunal i Arsimit në Komunën e Dragashit, Vloran Cenaj, e falënderoi Koordinatorin Hoti për vizitën dhe drejtorët për punën në realizimin e programit. Ai tha se “jemi të kënaqur me projektin, i kemi përfunduar garat në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik në nivelin shkollor dhe jemi duke vazhduar me pjesën tjetër. Ne e përkrahim vazhdimin e projektit të garave pasi që jemi të kënaqur me vijueshmërinë dhe gjithëpërfshirjen edhe të komuniteteve në të”.

Në shenjë falënderimi për bashkëpunim dhe për kontributin e dhënë në garat e Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe garat e Diturisë, Hoti ndau mirënjohje për kryetarët e të dyja komunave, drejtorët komunalë të arsimit si dhe për drejtorët e shkollave të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat