LHK “Ali Hadri” kërkon konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës

Kosova

LHK “Ali Hadri” kërkon konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës

Më: 11 dhjetor 2019 Në ora: 18:01
LHK “Ali Hadri”

Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, u ka bërë sot thirrje partive politike që kanë fituar ulëset në Kuvendi, respektivisht fitueseve të zgjedhjeve, që të themelojnë institucionet e reja të vendit, pasi vakumi institucional i krijuar në vend po dëmton qytetarët dhe integrimet euroatlantike.

Në një deklaratë për media thuhet se partitë politike në vend e kanë për obligim që të tejkalojnë dallimet politike dhe të afrohen në programe dhe Kosovës t’i jepen institucionet deri në përfundim të këtij viti.

“Institucionet dhe drejtuesit e tyre që do të dalin nga koalicioni qeverisës, duhet të jenë kredibilë dhe njerëz me përvoja qeverisëse dhe institucionale. Kosova duhet të vazhdojë rrugën drejt integrimeve euro-atlantike dhe bashkëpunimit rajonal dhe në këtë rrugëtim Kosova dhe udhëheqësit e rinj të vendit tonë duhet t’i kushtëzojnë bisedimet me Serbinë. Gjuha e urrejtjes dhe antishqiptare e shtetit serb është e papranueshme”, thekson Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti të para që dolën në zgjedhjet nacionale të 6 tetorit, ende nuk kanë finalizuar marrëveshjen rreth koalicionit të ardhshëm qeveritar, për shkak të ndasive rreth disa posteve ministrore dhe atij të presidentit, përderisa seanca konstituive e legjislaturës së shtatë të Kuvendit është caktuar për datën 24 dhjetor nga ana e presidentit Hashim Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat