Lumezi dhe Ambasadorja e Francës në Kosovë flasin për sundimin e ligjit

Kosova

Lumezi dhe Ambasadorja e Francës në Kosovë flasin për sundimin e ligjit

Më: 12 dhjetor 2019 Në ora: 14:09
Pamje nga takimi

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka pritur në takim njoftues Ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie - Christine Butel.

Kryeprokurori Lumezi e ka informuar Ambasadoren Butel për punën dhe të arriturat e Prokurorit të Shtetit në luftimin e veprave të ndryshme penale që ndërlidhen me korrupsionin, krimin e organizuar, terrorizmin, ngrirjen dhe sekuestrimin e pasurisë së fituar me anë të veprave penale, si dhe luftimin e të gjitha formave të tjera të krimit në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, gjatë këtij takimi, Kryeprokurori i Shtetit ka folur edhe për objektivat e institucionit që udhëheq, më qëllim të rritjes së efikasitetit në funksion të forcimit të sundimit të ligjit. 

Në anën tjetër, Ambasadorja Butel ka vlerësuar punën e Prokurorit të Shtetit, duke ofruar mbështetjen e vendit që përfaqëson për ta ndihmuar sistemin prokurorial të Kosovës.

Të dy bashkëbiseduesit kanë çmuar bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe Ambasadës së Francës në Kosovë, si dhe kanë theksuar nevojën e thellimit dhe avancimit të bashkëpunimit ndër-institucional edhe në të ardhmen, më theks të veçantë, në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në mes të institucioneve të drejtësisë kosovare dhe atyre franceze, në luftimin e të gjitha veprave kriminale që cenojnë rendin dhe sigurinë e të dyja vendeve.

Në fund të takimit, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka falënderuar Ambasadoren Marie - Christine Butel për vizitën dhe interesimin e treguar për sistemin prokurorial, duke e vlerësuar mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të Francës dhënë institucioneve të drejtësisë në Republikën e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat