Ilir Abdullahu tregon se çfarë dëmi mund t’i shkaktohet ujit nëse ndërtohet diçka në pellgje të liqeneve

Kosova

Ilir Abdullahu tregon se çfarë dëmi mund t’i shkaktohet ujit nëse ndërtohet diçka në pellgje të liqeneve

Më: 14 janar 2020 Në ora: 00:18
Badoc

Drejtori i Ujësjellësit Rajonal Prishtina, Ilir Abdullahu, ka thënë se ka pasur shqetësime ditëve të fundit rreth ndërtimit të një lagjeje në Badoc, por po duket se kjo çështje po shkon drejt normalizimit dhe drejt largimit të shqetësimeve të qytetarëve.

Ai thotë se rezervat që janë në rënie për shkak të thatësirave, për shkak të ndryshimeve klimatike, do të bëjmë çmos që të menaxhohen mirë dhe të kemi kujdes gjatë planifikimeve për gjithçka që ndodh në ato pellgje.

“Ngritja e qytetarëve për problemet jetike, siç është furnizimi me ujë, është pozitive kur kemi të bëjmë me kujdesin e këtij resursi ujor”, tha ai.

Sipas tij, nëse vazhdon ky trend i mosreshjeve, duhet të aplikohen reduktime, duke filluar nga shkalla më e butë, siç janë zakonisht pjesët rurale që kanë alternativa, por zakonisht do të ndodhë gjatë natës sepse edhe konsumi do të jetë më i vogël.

“Besojmë se gjatë pranverës, do të ketë reshje të shiut dhe të rikuperohen nivelet e liqeneve”, tha ai.

Sipas Abdullahut, liqenet me të cilat menaxhon KRU Prishtina kanë rezerva të ujit për 7-8 muaj nëse nuk do të ketë reshje dhe të rikuperohen nivelet e dy liqeve.

Sipas tij, nga kuota maksimale, niveli i ujit në dy liqenet ka rënë për 10 metra.

Duke folur për idenë e ndërtimit të një lagjeje në Badoc, Abdullahu tha se “çdo lëvizje, çdo ndërtim, çdo aktivitet, që bëhet në pellgje, sidomos në Zonën 1 dhe 2, mund të rrezikojë cilësinë e ujërave”.

“Ka edhe një udhëzim administrativ nga Ministria e Ambientit ku flitet për Zonën 1, Zonën 2 dhe Zonën 3. Zona 1, nga niveli maksimal i ujit, është në 10 metra gjetësi, Zona 2 është 200 metra ku ndërptriten të gjitha këto aktivitete, dhe Zona 3 është ajo që e mbyll pellgun. Ndonëse në Kosovë në Zonën e 3-të kemi vendbanime, në vendet tjera kjo nuk ndodh”, tha ai.

“Çdo ndotës në afërsi të liqenit do të ishte rrezik për cilësinë e ujit. Kur flasim për zonat, shohim që në brezin e rrugës ka pompa derivatesh. Çdo aksident në brigjet e Badocit do ta nxirrte sistemin nga furnizimi me ujë të pijes. Ka pompa benzine, ka edhe autocisterna që lëvizin nëpër brigjet e liqeneve që mund të rrezikojnë ndotjen e ujit sipërfaqësor. Është mirë të mendojmë që në të ardhmen të ngrihet vetëdija, e edhe njerëzit që i frekuentojnë këto liqene do të sillen më mirë, duke mos hedhur mbeturina”, tha Abdullahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat