Lidhja Demokratike e Kosovës shpalos ofertën e saj për formimin e qeverisë

Kosova

Lidhja Demokratike e Kosovës shpalos ofertën e saj për formimin e qeverisë

Më: 15 janar 2020 Në ora: 22:23
Foto ilustrim

Lidhja Demokratike e Kosovës shpalosi të mërkurën ofertën e saj për formimin e qeverisë me lëvizjen Vetëvendosje.

Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Avdullah Hoti, në një postim në rrjetin social facebook shkroi se sipas kësaj oferte “Lidhja Demokratike do të ketë kryetarin e parlamentit deri në zgjedhjen e presidentit, pastaj kryetari i parlamenti do t’i kalojë lëvizjes Vetëvendosje. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (Vetëvendosje e ka kryeministrin, LDK-ja kryetarin e parlamentit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore, kryeministrin dhe kryetarin e parlamentit, kurse LDK-ja një pozitë, presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës”.

Në ofertë theksohet se numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët, me disa përjashtime: “a) Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. b) Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komunitetet jo shumicë krahas ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

Të dyja partitë, sipas ofertës, do të kenë nga 5 ministri.

Në pikën e tretë të ofertës thuhet se “partnerët e koalicionit, në përputhje me dispozitat kushtetuese, për presidentin e vendit do të përkrahin kandidatin e propozuar nga LDK-ja”.

Të martën lëvizja Vetëvendosje tha se i ka propozuar Lidhjes Demokratike të Kosovës, një ofertë për shtimin e ministrive në qeverinë e ardhshme për të siguruar një marrëveshje për bashkëqeverisje. Nënkryetari i kësaj lëvizjeje, Bisnik Bislimi, postoi ofertën që numri i ministrive të shtohet në 14 nga 12 sa ishin marr vesh me Lidhjen Demokratike në fillim të negociatave. Sipas kësaj oferte Lidhja Demokratike do të kishte 6 ministri kundrejt Vetëvendosjes që do të mbetej me 5 syresh.

 

Shkëmbimi i këtyre ofertave pasoi negociatat e javës së kaluar që nuk siguruan një pajtim për formimin e qeverisë.

Bisedimet rifilluan pas një pushimi të gjatë, që pasoi mbledhjen e parë të parlamentit që u mbajt me 26 dhjetor. Në krye të parlamentit u zgjodh Glauk Konjufca nga lëvizja Vetëvendosje, ndonëse përgjatë gjithë negociatave që nga zgjedhjet e 6 tetorit është thënë se ky post i takon Lidhjes Demokratike. Kjo thelloi hendekun ndërmjet dy partive që nuk po pajtoheshin rreth kërkesës së Lidhjes Demokratike që në kuadër të marrëveshjes për bashkëqeverisje të përfshihet edhe posti i presidentit të vendit.

Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se çështja e postit të kryetarit të parlamentit tashmë është çështje e kryer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat