Hoti: Propozimi i Konjufcës për kryeparlamentar mesazh i qartë se VV-ja s’donte marrëveshje

Kosova

Hoti: Propozimi i Konjufcës për kryeparlamentar mesazh i qartë se VV-ja s’donte marrëveshje

Më: 16 janar 2020 Në ora: 21:22
Avdullah Hoti

Anëtari i kryesisë së LDK-së dhe deputeti, Avdullah Hoti në Rubikon të KTV-së ka thënë se propozimi i Glauk Konjufcës për kryetar të Kuvendit ishte mesazh i qartë se Vetëvendosje nuk donte marrëveshje me LDK-në.

Ai thotë se është përgjegjësia e Vetëvendosjes ta formojë qeverinë, derisa thekson se edhe për ta Vetëvendosje ishte opsioni i vetëm për koalicion qeverisës.

“Edhe për ne ka qenë adresë e vetme Vetëvendosje. Është përgjegjësi e tyre të formojnë institucionet, ofertën e djeshme besoj se nuk asnjë kuptim të mos konsiderohet nga VV-ja”, ka thënë Hoti.

Letrën e sotme të Albin Kurtit ai e ka quajtur lojë fjalësh, derisa thekson se me anë të saj na është treguar se s’ka marrëveshje me ne.

“Sikur kjo letër ashtu edhe propozimi i jonë për kryeparlamentar është lojë fjalësh. Përveç asaj video na është dhënë mesazhi se s’ka marrëveshje me neve. Mirë, nëse s’ka marrëveshje me neve atëherë ne s’kemi dashur të pengojmë. Kur Kurti e propozoi Konjufcën ka qenë mesazh i qartë për neve se nuk duan marrëveshje me nesh. Ne nuk jemi bllokues të institucioneve, e nuk duam të shihemi se jemi të tillë. Kjo është krejt lojë e VV-së, vërtetohet edhe mënyra se si Kurti ka vepruar për dhënien e mandatarit nga Presidenti”, ka thënë Hoti.

Sipas tij Kurti ishte dashur të kërkonte më 26 dhjetor që të shtyhej konstituimi i Kuvendit, pasi nuk kishte marrëveshje.

“Mënyra se si është sjellë Kurti ka qenë jo korrekte karshi neve. Ne ishim të dakorduar për kryetar të Kuvendit, jemi dakorduar që ai t’i takojë LDK-së. Ne nuk kemi ofruar emër për kreun e Kuvendit pasi s’ka pasur marrëveshje. Jam i bindur se kemi bërë maksimumin e vazhdojmë ta bëjmë maksimumin, megjithëse kjo letër nuk e lënë derën hapur. Mënyra se si barrikadakohet në këtë letër, sa i përket kryetarit të Kuvendit pothuajse është e pamundur të arrihet marrëveshja”, u shpreh ai.

Ai shton se kjo ishte oferta e tretë e LDK-së.

“E para ka qenë nga 6 tetori, një marrëveshje të balancuar brenda institucioneve. Që në njërën anë është kryeministri, dhe gjysma e qeverisë dhe në anën tjetër është kryetari i Kuvendit me gjysmën e qeverisë, si dhe ajo e presidentit. Nuk ka qenë peshim më i madh. Kryeministri është pozita kryesore në vend. Qeveria është kryeministri, asgjë nuk bëhet padakordimin e kryeministrit. Kjo është oferta e parë e dakorduar në organet e LDK-së, e përtej kësaj kreu i LDK-së ka propozuar që në momentin kur LDK-ja e propozon presidentin atëherë një ministri i jepet VV-së, pra 6-4”, u shpreh ai.

Ai thekson se, “në takimin e 6 janarit kemi hequr dorë nga pozita e kryeparlamentarit t’i takojë VV-së për tre vite të tjera, derisa të vjen koha e presidentit. VV-ja i ka dy pozita të mëdha. Gjatë 2020 kur presidenti nuk është i yni, atëherë kryeministri e krye parlamentari do t’i takonin VV-së”.

Hoti konsideron se kompromisi më i madh ishte ulja në tavolinë me VV-në.

“Kompromisi më i madh i joni është me u ulë në tavolinë të bisedojmë me ta. E kemi tejkaluar këtë gjatë dy viteve në opozitë. Kurti i ka hëngër fjalët e veta për këtë. I ka rënë pishman që është shprehur ashtu, pasi nuk gjen një anëtar të LDK-së që t’i atribuohen ato. Nuk e kemi shumë të këndshëm në të kaluarën me VV-në. Kemi qenë të bindur se mund të ndërtojmë një koalicion të përbashkët, por ngarendja e tyre për pushtet absolut”, ka thënë Hoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat