Grupi për mbrojtjen e Liqenit të Badovcit, fton në debat Shpend Ahmetin e Fatmir Matoshin

Kosova

Grupi për mbrojtjen e Liqenit të Badovcit, fton në debat Shpend Ahmetin e Fatmir Matoshin

Më: 16 janar 2020 Në ora: 23:42
Foto

Grupi për mbrojtjen e Liqenit të Badovcit, në takimin konsultativ të mbajtur sonte i kanë drejtuar një kërkesë kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ministrit të mjedisit në detyrë, Fatmir Matoshi për një debat. Pjesëmarrësit në këtë takim kanë kërkuar që të dy të ftuarit të prezantojnë faktet në lidhje me gjendjen aktuale sa i përket dhënies së pëlqimit nga komuna dhe nga MMPH-ja për projektin e kompanisë KAWA në afërsi të liqenit të Badovcit.

Inxhinieri i ujërave, Baton Begolli ka thënë se Kosova është shtet me stres ujorë, që nënkupton se nuk ka mjaftueshëm ujë dhe se nuk duhet lejuar veprime që mund të pakësojnë ose ndotin atë sasi që e kemi. Ai para qytetarëve ka thënë se në Strategjinë për ujëra, Kosova ka 1 mijë e 600 metra kub për kokë banori në vit. Kurse Eman Rrahmani, këshilltar komunal i Vetëvendosjes ka thënë se ky subjekt ka kërkuar zyrtarisht qasje në dokumentet zyrtare të Komunës së Prishtinës, saktësisht dokumentin ku lëshohen kushtet ndërtimore për ndërtim, porse ende nuk i është lejuar qasja në to. “Dokumenti i publikuar nga Komuna është i pjesshëm, janë vetëm 2 faqe nga 7 sa i ka dokumenti. Mbajtja e fshehur, mostransparenca nga Komuna është shqetësuese”, ka thënë ai.

Të dy nivelet qeverisëse deri tashi nuk kanë arritur ta qartësojnë nëse kompania KAWA ka marrë pëlqim nga komuna për kushtet ndërtimore apo pëlqim mjedisor nga ana e MMPH-së.

Derisa të dy nivelet po e hedhin përgjegjësinë të njëra tjetra, Grupi për mbrojtjen e Liqenit të Badovcit, ka nisur nënshkrimin e një peticioni online, me të cilin synon ta ndalojë degradimin e zonës te ky liqen artificial.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat