Thaçi: Kurti ose ta pranojë ose ta refuzojë mandatin

Kosova

Thaçi: Kurti ose ta pranojë ose ta refuzojë mandatin

Më: 19 janar 2020 Në ora: 22:01
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të dielën se kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duhet marrë mandatin për formimin e qeverisë, apo në të kundërtën, ta refuzojë atë.

Ai i bëri këto komente, pas një takimi me ish shefin e Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin William Walker.

Presidenti Thaçi tha se ka kaluar një kohë e gjatë që nga mbajtja e zgjedhjeve dhe se qytetarët dhe partnerët ndërkombëtar, tha ai, po presin formimin sa më të shpejtë të qeverisë.

“Koha po kalon, prandaj unë si president i vendit duke parë angazhimet e kryetarit të partisë së parë që ka dalë në zgjedhjet e 6 tetorit, që ka qenë edhe kandidat zyrtar i partisë për kryeministër gjatë fushatës, edhe gjithashtu që ka nominu më tepër se gjysmën e qeverisë, unë duke menduar se do ta pranoj, sepse është një rregull i pashkruar, në moment që kryetari i partisë së parë dhe i nominuari nga partia takohen dhe ka caktuar gjysmën e qeverisë, në konsultim e sipër edhe në kuptimin zyrtar merr nominimin. Unë kam nënshkruar atë ditë nominimin për zotin Kurti si kandidat për kryeministër të ardhshëm të qeverisë së Republikës së Kosovës, ai nominim me nënshkrim është ende në tavolinën time të punës këtu, prandaj shpresoj që nuk do të kalojë shumë kohë e gjatë që edhe zoti Kurti të reflekton në kuptimin e pranimit të nominimit që është vullnet i partisë së tij dhe elektoratit të tij, në rrethana tjera duhet ta deklaroj refuzimin”, tha presidenti Thaçi.

Ai tha se është në vullnetin e spektrit politik që ta përmbyllë procesin e zgjedhjeve sa më shpejt që është e mundur, duke zbatuar vullnetin e votuesve. Presidenti Thaçi tha se në çdo veprim të tij do ta respektojë kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Natyrisht se tash i mbetet kryetarit të partisë së parë që të bëj hapin dhe në këtë drejtim ka qenë edhe takimi ynë së bashku me kryetarin e partisë së parë, që ka qenë në këtë zyrë dhe ka premtuar që në ditët vijuese do ta pranon edhe në kuptimin juridik përgjegjësinë e mandatarit për themelimin e qeverisë’, tha presidenti Thaçi.

Një ditë më parë ai tha se e ka nënshkruar mandatin për zotin Kurti, por ekspertët thonë se ai nënshkrim nuk nënkupton fillim të rrjedhjes së mandatit përderisa një gjë e tillë nuk është vendosur në këshillim me fituesin e zgjedhjeve.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se presidenti nuk ka mbështetje kushtetuese as ligjore për të caktuar afate për dorëzimin e mandatit pa e pranuar propozimin nga lëvizja Vetëvendosje.

Thirrjeve për formim më të shpejtë të qeverisë iu bashkua edhe ambasadori Walker.

“Kam folur me disa përfaqësues të partive politike dhe jam ende i hutuar sikurse është i gjithë vendi. Mendoj që Kosova ka nevojë për një qeveri të re – keni humbur më shumë se 100 ditë dhe shpresoj që nuk do të nevojitet më shumë kohë për ta formuar qeverinë, në mënyrë që Kosova të kthehet në rrugën e duhur”, tha ai.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është takuar më 6 janar me kandidatin për kryeministër të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në kuadër të këshillimeve për formimin e qeverisë. Zoti Kurti ishte zotuar se propozimi do të ndodhë në “ditët në vijim”, por negociatat e tij me Lidhjen Demokratike të Kosovës, që doli e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit, nuk kanë siguruar një marrëveshje për ndarjen e pushtetit.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat