Kosova ka stagnuar në fushën e arsimit - Bota Sot
Kosova ka stagnuar në fushën e arsimit

Kosova

Kosova ka stagnuar në fushën e arsimit

Më: 20 janar 2020 Në ora: 10:45
Kështu u tha në konferencën e organizuar nga Zyra e BE-së dhe Qendra për Arsim e Kosovës (KEC)

(E plotësuar) - Në dy vitet e fundit fusha e arsimit në Kosovës ka stagnuar, shkaktar po konsiderohet mënyra e organizimit brenda Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Kështu u tha në konferencën “Rrjeti i Kosovës për punësim dhe arsim”, të organizuar nga Zyra e BE-së dhe Qendra për Arsim në Kosovë (KEC), në të cilën u prezantua raporti i monitorimit për zbatimin e “Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017 – 2021”.

Shefi i zyrës për bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Luigi Brusa tha se fusha e arsimit në Kosovë ka stagnuar në këto dy vitet e fundit.

Shkaktar të kësaj pasoje në arsim, ai e ka bërë jo vetëm kufizim buxhetor por edhe vetë Ministrinë e Arsimit, dhe organizimin brenda saj.

Brusa: Situata në arsim në dy vitet e fundit nuk është përmirësuar fare

“Ju e dini se situata në këto dy vitet e fundit nuk është përmirësuar fare, arsimi ende është një fushë në zonë kritike ku institucionet në Kosovë nuk janë duke performuar si duhet..Ka një lloj stagnimi në këtë fushë, jo vetëm për shkak të kufizimeve buxhetore, por edhe për shkak të çështjeve organizative në kuadër të ministrisë dhe kemi bërë shumë përpjekje këtu sa i përket reformimit të organizimit në ministri....Kur jemi në karrige ndonjëherë tentojmë që të mbesim në atë karrige, mirëpo jeta duhet ta vazhdoj edukimi, arsim për Kosovë është një fushë më e rëndësishme e cila garanton të ardhmen e njerëzve të rinj. Njerëzit të cilët vazhdojnë vetëm të qëndrojnë në karrige duhet të vazhdojnë ta bëjnë një analizë edhe nëse është e dhimbshme duhet të largohen dhe t’i lejojnë gjërat të vazhdojnë dhe të ecin para”, u shpreh Brusa.

Ai këshilloi MASHT-in që në dy-tri vitet e ardhshme të fokusohet në vlerësimin e mësimdhënësve, zhvillimin profesional të mësimdhënësve, zhvillimin e legjislacionit në fushën e arsimit dhe nivelin e koordinimit në mes nivelit qendror dhe atij lokal.

Bursa deklaroi se pret nga qeveria e ardhshme që të alokojë mjetet e nevojshme në fushën e edukimit në Kosovë me qëllim të prodhimit të rezultateve të mira.

Prioritet numër një për arsimin në Kosovë, shefi i zyrës për bashkëpunim në zyrën e BE-së në Kosovë e ka renditur rekrutimin objektiv të mësimdhënësve.

Brusa: Përgjegjëse për performancën në fushën e arsimit është MASHT

“Pavarësisht sfidave të centralizimit të fushës së arsimit, ministria e Arsimit është përgjegjëse për performancën në përgjithësi duhet ta pajis vetën me resurse humane dhe mjetet që duhen për ndryshim, kompetenca e inspektimit sa i përket proceseve didaktike, mësimnxënies në nivelin  e shkollave duhet të fuqizohet. Inspektorët kur shkojnë nëpër shkolla jo vetëm që duhet të shikojnë se a është dërrasa e zezë aty në klasë, ata duhet me vlerësua se a është kurrikula dhe metoda a janë duke u implementuar” ,theksoi ai.

Se gjendja në sistemin arsimor nuk është e mirë e ka thënë edhe Fadile Dyla nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e cila tha se plani strategjik 2017/2021 është duke u realizuar përmes disa reforma në disa fusha.

Dyla: Plani strategjik është duke u realizua përmes reformave në shtatë fusha

“Plani strategjik 2017/2021 është një dokument i dal nga nevojat e arsimit, është duke u realizua përmes shumë reformave të gjithëmbarshme në arsim duke përfshirë këtu shtrirjen në shtatë fusha që janë në këtë plan strategjik. Fushat që janë të shtrira në planin strategjik janë pjesëmarrja dhe gjithpërfshirja, menaxhimi i sistemit arsimor, sigurimi i cilësisë, zhvillimi i mësimdhënësve, mësimdhënia dhe të nxënit ,arsimi dhe aftësimi profesional dhe arsimi i të rriturve dhe arsimi i lartë“, ka thënë Dyla.

Kurse, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim në Kosovës, Dukagjin Pupovci si problem madhor në vend e ka cilësuar mungesën e implementimit të politikave.

Sipas tij, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, numri i nxënësve është zvogëluar për 20 përqind, kurse ai i mësimdhënësve është rritur për 3 përqind.

Pupovci: Nga viti 2008 numri i mësimdhënësve ka rënë për 20 për qind

“Problemi madhor i politikbërjes në Kosovë është implementimi, pra duhet pranuar se sikurse edhe shumë vende të tjera në tranzicion Kosova ka elemente të një anarkie të organizuar e cila faktikisht nuk bënë të mundur që ato gjëra që janë planifikuar edhe të zbatohen ashtu si duhet. Pra në radhë të parë në këtë vend na mungon një autoritet qendror që përcjell zbatimin e politikave të aprovuara... Pre shpalljes së pavarësisë të Kosovës, deri në vitin 2017, 2018 numri i nxënësve  ka rënë për 20 për qind, kurse i mësimdhënësve për 3 për qind”, u shpreh Pupovci.

Raporti për “Planin Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017 – 2021” ka gjetur se pjesëmarrja e fëmijëve-nxënësve në arsimin e obliguar, të mesëm dhe të ulët është në nivel të kënaqshëm, derisa sfidë mbetet pjesëmarrja e ulët e nxënësve në nivelin e edukimit parashkollor.

Në bazë të këtij plani raporti thotë se janë shënuar disa hapa pozitiv në krijimin e mekanizmave për monitorimin dhe vlerësimin e performancës së drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve, ndërsa legjislacioni në arsimin parauniveristar përshkruhet me mungesë të koherencës, konflikte të shumta në mes legjislacionit primar dhe atij sekondar.

***

Në dy vitet e fundit gjendja e arsimit në Kosovë nuk është përmirësuar.

Kështu u tha në konferencën e organizuar nga Zyra e BE-së dhe Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në kuadër të projektit “Rrjeti i Kosovës për punësim dhe arsim”. Me këtë rast u prezantua raporti i monitorimit për zbatimin e “Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017 – 2021”.

Luigi Brusa, shefi i Zyrës për Bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se situata në arsim nuk është përmirësuar në këto dy vite, madje gjendja sipas tij, ndodhet në zonën kritike.

Brusa tha se gjendja në nivelin e ulët dhe të mesëm nuk është aspak e mirë, dhe situatë hiq më e mirë nuk është as në nivelin e lartë.

"MASHT duhet të fokusohet në vitet e ardhshme në këto lloj reforma tjetër me rëndësi me identifikimin në përmirësimin e pjesëmarrjes në nivelin parashkollor, rishikimin e formulave të ndryshme, ndryshimi i legjislacionit në mbështetje të strategjisë. Po ashtu përmirësimi i koordinimi me institucionet lokale", tha ai.

Se gjendja në arsim nuk është e mirë e thanë edhe përfaqësuesit e ministrisë se Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Fadile Dyla nga ky institucion kërkoi përkrahje për përmirësim në fushën e arsimit.

E drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim, Dukagjinë Pupovci derisa foli për projektin tha se problem  madhor i politik bërjes në Kosovë është implementimi. Sipas tij, nga shpallja e pavarësisë se Kosovë në vitin 2008, është zvogëluar numri i nxënësve për 20 përqind, kurse numri i mësimdhënësve është rritur për 3 përqind.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat