Deçan: Përzgjedhen më të mirët në Lëndën e Matematikës

Kosova

Deçan: Përzgjedhen më të mirët në Lëndën e Matematikës

Nga: Adem Lushaj Më: 25 janar 2020 Në ora: 21:42
Olimpiada e Matematikës

Olimpiada e Matematikës është mbajtur edhe në Komunën e Deçanit, çka edhe janë përzgjedhur nxënësit më të mirë të cilët do përfaqësojnë Deçanin në garat e nivelit qendror. Siç ka bërë të ditur, Muharrem Kukalaj, kryetar i Shoqatës së mësimdhënësve të Matematikës së Komunës së Deçanit, nën organizimin e së cilës janë mbajtur këto gara, janë përzgjedhur 9 nxënës cilët do masin "forcat" në shkencën e Matematikës, me moshatarët  e komunave tjera të Kosovës. Kukalaj ka thënë se rezultatet e shënuara janë në nivelin më të kënaqshëm, krahasuar me vitet e kaluara, por duhet më shumë angazhim profesional dhe institucional.

Në përkrahje të këtij organizimi ishte edhe drejtori i Drejtorisë komunale për arsim, Bekim Vishaj, që kishte inkurajuar nxënësit dhe mësimdhënësit për arritje në fushën e matematikës. "Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e arritjeve në këtë lëndë ekzakte, ndaj edhe jemi këtu për të dhënë mbështetjen institucionale për nxënësit garues dhe mësimdhënësit e lëndës", është shprehur Vishaj, i cili ka falënderuar edhe drejtorin e Shkollës së mesme teknike, Zenel Kasumaj, për angazhimin personal dhe të stafit, në mbarëvajtjen e këtij organizimi tashmë tradicional. 

Në Olimpiadën në nivel vendi, Deçanin do ta përfaqësojnë: Elion Lokaj, nxënës i shkollës "Sylejmon Vokshi" në Prejlep dhe Verona Dervishaj, nxënësve e shkollës "Isa Boeltini" në Isniq, që do garojnë me moshatarët e tyre të klasave të 9-ta. Ndërsa në ato të dhjeta do garojnë Arvesa Dobraj dhe Yllka Kukalaj, nxënës të Shkollës së Mesme Teknike "Tafil Kasumaj". Egzoni Demhasaj dhe Gani Lekaj, do përfaqësojnë nxënësit e klasave të 11-ta, që të dy nxënës të "Tafil Kasumaj". Dominimin në këtë lëndë të ShMT "Tafil Kasumaj", e kanë treguar edhe nxënësit e klasave të 12-ta, ku do garojnë Lorik Ramosaj, Andi Dautaj dhe Liridon Dobraj.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat