Qalaj: Kosova me fat që nuk ka prezencë të drogave shumë të rrezikshme

Kosova

Qalaj: Kosova me fat që nuk ka prezencë të drogave shumë të rrezikshme

Më: 14 shkurt 2020 Në ora: 00:01
Rashit Qalaj

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se Kosova është me fat që nuk ka prezencë të drogave me rrezikshmëri të lartë.

Ai thotë se ka qarkullim të drogës nëpër Kosovë për në vendet perëndimore, derisa thekson se ajo vjen më së shumti nga Afganistani.

“Nga analizat që kemi bërë gjatë viteve të kaluara, kemi pasur qarkullim të drogës nëpër Kosovë për vendet e tjera. Droga më shumë ka ardhur nga Afganistani nëpërmjet Turqisë, Shqipërisë, Maqedonisë dhe ka depërtuar nëpër Kosovë dhe në vendet perëndimore. Pastaj, ka qenë Llazarati i famshëm, i cili ka ndikuar edhe tek ne që të rritet sasia e narkotikëve në Kosovë”, ka thënë Qalaj.

Ai ka shtuar se, “në vitin e kaluar kemi vërejtur disa tentativa që edhe droga nga Amerika Latine, sidomos kokaina, të depërtojë në Ballkan, në këtë kuadër edhe në Kosovë, por sidomos duke shfrytëzuar rrugën e Malit të Zi dhe Kosovës për të shkuar në drejtim të perëndimit”.

Sipas tij Kosova është me fat për mosprezencën e disa drogave të rrezikshme, përfshirë këtu fetanolin.

“Është fat i madh që në Kosovë, por edhe në rajon, që nuk e kemi prezencën e disa drogave shumë të rrezikshme, të cilat janë të koncentruara në Amerikë, fetanoli për shembull, e cila është një drogë që vjen nga Kina e përpunohet në Meksikë e Kolumbi dhe depërton në Amerikë, e cila është vdekjeprurëse jo vetëm për personat që e konsumojnë por është vdekjeprurëse edhe për ata që e trajtojnë. Pra, numri i vdekjeve është shumë i madh, sidomos i Policëve që merren me luftimin e kësaj droge. Përveç që është shumë e rrezikshme është edhe shumë i shtrenjtë trajtimi i tyre, pasi vetëm një kostum për një individ kushton qindra-mijëra dollarë dhe në shumicën e rasteve janë vdekjeprurëse për policët. E deri tash nuk kemi drogë të tillë në Kosovë, e lutemi të mos kemi”, ka thënë Qalaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat