Prindërit e fëmijëve të “Cambridge Kids” i kërkojnë MASHTI-t të mos e mbyllë çerdhen

Kosova

Prindërit e fëmijëve të “Cambridge Kids” i kërkojnë MASHTI-t të mos e mbyllë çerdhen

Më: 14 shkurt 2020 Në ora: 00:09
“Cambridge Kids”

Disa prindër, që thonë se përfaqësojnë shumicën e prindërve që kanë dërguar fëmijët e tyre në kopshtin “Cambridge Kids”, kanë kërkuar nga Ministria e Arshimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit që të mos e mbyllë atë pas incidenteve të fundit.

“Ne prindërit e “Cambridge Kids” duam që bashkërisht të reagojmë në lidhje me publikimet e fundit në media. Është publikuar një video ku shihet një edukatore teksa kryen një veprim të cilin ne të gjithë e dënojmë ashpër. Ne si prindër jemi kundër mbylljes së kopshtit sepse fëmijët tanë tashmë janë sistemuar dhe janë të lumtur brenda ambienteve të këtij kopshti”, thuhet në reagim.

“Të gjithë ne jemi në marrëdhënie pune dhe mbyllja e kopshtit e vështirëson jetën tonë të përditshme. Pas rastit kopshti na ka ftuar në takim dhe jemi njoftuar rreth detajeve dhe masave që janë ndërmarrë, ne si prindër kemi dhënë sugjerime shtesë për kopshtin të cilat ata i kanë pranuar në plotni. Kur kemi ardhur në kopsht ne kemi qenë në dijeni se kopshti është në proces të përpilimit të dokumentacionit për licencim dhe duke i parë kushtet ideale që ka, kemi vendosur t’i sjellim fëmijët tanë dhe jemi shumë të kënaqur me trajtimin e tyre”, shkruhet në reagim.

Edhe pse çerdhes i është ndaluar puna në mungesë të licencës, prindërit kërkojnë që deri në licencim të vazhdojnë t’i dërgojnë fëmijët.

“Një edukatore të cilën në asnjë rast nuk e arsyetojmë nuk e pasqyron punën e mrekullueshme të gjithë stafit tjetër. Ne si prindër e lutim përzemërsisht Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që të ketë parasysh faktin që fëmijët tanë duhet të vazhdojnë kopshtin dhe se ne si prindër të poshtëshënuar jemi të kënaqur me punën e stafit. Fëmijët tanë nuk mund t’i vendosim në kopshte tjera përderisa ata janë sistemuar dhe janë përshtatur aq mirë në kopshtin në të cilin janë. Ne jemi të mendimit që fëmijët të vazhdojmë t’i dërgojmë në kopsht ndërkohë që kopshti vazhdon me procedurat e licencimit”, përfundon reagimi.

Më herët gjatë ditës, Gjykata njoftoi se është caktuar masa e arrestit shtëpiak për dy edukatoret.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat